Të paktën 68 persona kanë mbetur të vdekur si pasojë e një sulmi ajror në një qendër ndalimi për emigrantët afrikanë në Jemenin veriperëndimor të kontrolluar nga Houthi, ka njoftuar kanali televiziv i grupit të armatosur.
Al Masirah ka raportuar se 47 persona të tjerë janë plagosur, shumica e tyre në gjendje kritike, kur qendra në provincën Saada është bombarduar. Televizioni ka postuar pamje të rënda që tregonin trupa të shumtë të mbuluar, te rrënojat e një ndërtese të shkatërruar, raporton BBC.
Sulmi ka ardhur disa orë pasi Komanda Qendrore e SHBA-së ka njoftuar se forcat e saj kishin goditur më shumë se 800 objektiva që kur presidenti, Donald Trump urdhëroi një intensifikim të fushatës ajrore kundër Houthis, më 15 mars.
Komanda ka thënë se sulmet kanë "vrarë qindra luftëtarë dhe udhëheqës të shumtë Houthi", duke përfshirë zyrtarë të lartë që mbikëqyrnin programet e raketave dhe dronëve.
Autoritetet e drejtuara nga Houthi kanë thënë se sulmet kanë vrarë dhjetëra civilë, por ata kanë raportuar për pak viktima në mesin e anëtarëve të grupit.
Në fillim të këtij muaji, ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Houthi ka njoftuar se një seri sulmesh ajrore amerikane në terminalin e naftës Ras Isa në bregun e Detit të Kuq kanë vrarë të paktën 74 njerëz dhe plagosur 171 të tjerë.
Muajin e kaluar, Trumpi ka urdhëruar sulme në shkallë të gjerë në zonat e kontrolluara nga Houthis dhe kërcënoi se ato do të "asgjësoheshin plotësisht". Ai gjithashtu ka paralajmëruar Iranin që të mos armatosë grupin, diçka që ai e ka mohuar vazhdimisht ta bëjë.
Që nga nëntori i vitit 2023, Houthi-t kanë vënë në shënjestër dhjetëra anije tregtare me raketa dhe dronë në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit. Ata kanë fundosur dy anije, kanë kapur një të tretën e tyre dhe kanë vrarë katër anëtarë të ekuipazhit.
Houthi-t kanë thënë se po veprojnë në mbështetje të palestinezëve në luftën midis Izraelit dhe Hamasit në Gaza dhe kanë pohuar, shpesh në mënyrë të rreme, se ata synojnë anije të lidhura vetëm me Izraelin, SHBA-në ose Britaninë e Madhe.
Luftimet thuhet se kanë lënë më shumë se 150,000 njerëz të vdekur dhe kanë shkaktuar një katastrofë humanitare, me 4.8 milionë njerëz të zhvendosur, teksa 19.5 milionë, gjysma e popullsisë - kanë nevojë për një formë ndihme.