Botë

5 të vrarë pas një sulmi me bombë jashtë një restoranti në Somali

somali

Një bombë në veturë shpërtheu jashtë një restoranti në kryeqytetin e Somalisë, Mogadishu, duke lënë të vrarë 5 persona dhe duke plagosur 20 të tjerë, raporton Reuters. 

Ngjarja ndodhi teksa konsumatorët ishin duke e ndjekur finalen e turneut të futbollit Euro 2024 në televizor, tha policia, duke i fajësuar kryengritësit islamikë.

Bomba shkatërroi 10 vetura dhe dëmtoi disa ndërtesa pranë në zonën që gjendet afër Pallatit Presidencial.

Militantët “Al Shabaab” morën përgjegjësinë për sulmin me një deklaratë në një stacion të radios, duke thënë se bomba e shënjestroi vendin ku punonjësit e sigurisë dhe qeverisë takohen gjatë natës.

Grupi islamik, që dikur ka udhëhequr pjesën më të madhe të Somalisë, ka qenë duke luftuar me vite për ta imponuar interpretimin e tij të rreptë të islamit në Somali.

Kryengritësit shpeshherë kanë kryer bastisje dhe sulme vdekjeprurëse në Mogadishu dhe rajone të tjera të kontrolluara nga qeveria federale gjatë dy vjetëve të fundit, edhe pse kanë humbur pjesë të mëdha të territorit ndaj forcave qeveritare dhe aleatëve të tyre.