Botë

49 të vdekur nga sulmi rus në Ukrainën lindore, 18 të ngujuar nën rrënoja

Sulm masiv rus në Ukrainë

Sulm masiv rus në Ukrainë / Foto: Reuters

E përditësuar (19:07) - Ushtarë në mesin e të vdekurve në Ukrainë, konfirmojnë forcat e armatosura ukrainase

Forcat e armatosura të Ukrainës kanë konfirmuar përmes një deklarate vdekjen e disa ushtarëve nga sulmi rus ndaj institutit ushtarak në Poltava.

“Ne humbëm ukrainasit trima, vëllezërit dhe motrat tona, ushtarët”, thuhet në deklaratë ndër të tjera, raporton BBC.

Sipas ushtrisë, do të ketë një hetim për të përcaktuar nëse është bërë mjaftueshëm për të mbrojtur "jetën dhe shëndetin e ushtarëve në vend".

“Masat për sigurimin e personelit do të forcohen”, thuhet më tej në deklaratë. 

Rreth 50 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve me raketa balistike të kryera nga Rusia të martën në qytetin lindor, Poltava.

Të paktën 18 besohet se kanë mbetur nën rrënoja si pasojë e sulmeve.


E përditësuar (17:18) - Është rritur në 49 numri i të vdekurve si pasojë e sulmeve ruse të martën në qytetin lindor të Ukrainës, Poltava, ka bërë të ditur zëdhënësi i ministrisë ukrainase të Mbrojtjes, Dmytro Lazutkin.

Ndërkohë, deri në 18 persona vazhdojnë të mbeten nën rrënoja, ka njoftuar guvernatori i rajonit, Philip Pronin. 

Ai e ka quajtur sulmin një "goditje dinake dhe cinike ruse".

“Sipas informacioneve paraprake, deri në 18 persona mund të jenë ende nën rrënoja. Grupet e kërkimit janë në vend. Dhjetë ndërtesa banimi janë dëmtuar”, është shprehur ai. 


Shkon në 47 numri i të vdekurve nga sulmi rus në Ukrainë

Ka shkuar në 47 numri i të vdekurve si pasojë e sulmit rus në qytetin lindor të Ukrainës, Poltava, ka njoftuar Zonja e Parë, Olena Zelenska.

Ajo e ka përshkruar sulmin si “një tragjedi” dhe ka thënë se “Rusia është duke e marrë gjënë më të vlefshme nga ne – jetën”.

Në Poltava është shpallur tri ditë zie, ka bërë të ditur udhëheqësi rajonal, Philip Pronin.

“Kujtim i ndritshëm për të gjithë të vdekurit”, ka shkruar ai në Telegram.


Të paktën 41 të vrarë nga sulmet e fundit ruse, thotë Zelensky

Të paktën 41 persona janë vrarë dhe rreth 180 të tjerë janë plagosur si pasojë e një sulmi rus në qytetin ukrainas Poltava, ka bërë të ditur presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky të martën.

Sipas tij, qyteti lindor u godit nga dy raketa balistike ruse, raporton BBC.

Zelensky ka bërë të ditur po ashtu se disa persona janë shpëtuar pasi janë nxjerrë nga rrënojat. 

Sipas tij, raketat goditën "territorin e një institucioni arsimor dhe një spitali aty pranë".

Një nga objektet e Institutit të Komunikimeve është shkatërruar pjesërisht, sipas presidentit.