Kamala Harris kontrollonte debatin herë pas here, duke e “goditur” Trumpin sa u përket politikave të tij në ekonomi, e po ashtu refuzimit të tij për ta pranuar humbjen në zgjedhjet e vitit 2020 e edhe performancën e tij në tubime. Trumpi, ndonëse ishte më i matur fillimisht, nisi të shpërthente me kalimin e kohës.
Donald Trump dhe Kamala Harris janë përballur në debat të martën mbrëma për herë të parë e me gjasë edhe të fundit.
Zëvendëspresidentja demokrate Harris e hapi debatin me një lëvizje të fuqishme, duke ecur në skenë deri te kandidati republikan Trump për ta përshëndetur.
“Kamala Harris”, u prezantua ajo, ndërsa ata u takuan për herë të parë ndonjëherë. “Le të kemi një debat të mirë”.
“Më vjen mirë që të shoh. Argëtohu”, reagoi Trumpi.
Shkëmbimi vendosi ritmin për debatin 90-minutësh që do të vinte: Harris kontrollonte debatin herë pas here, duke e “goditur” Trumpin sa u përket politikave të tij në ekonomi e po ashtu, refuzimit të tij për ta pranuar humbjen në zgjedhjet e vitit 2020, gjithashtu edhe performancën e tij në tubime.
Trumpi, ndonëse ishte më i matur fillimisht, ai nisi të zemërohej me kalimin e kohës. Në një moment të rëndësishëm, superylli i muzikës Taylor Swift tha se do ta votonte Harrisin.
Nga shtrëngimi i duarve në nismë, Harrisi e sfidoi Trumpin në mënyrën që Bideni s’mundi
Në përgjigjen e saj të parë, ish-prokurorja tha se tarifat e Trumpit do të krijonin një taksë shitjeje për klasën e mesme. Së shpejti, ajo e akuzoi Trumpin se udhëhoqi një prej sulmeve më të rënda ndaj demokracisë amerikane që nga Lufta Civile – duke aluduar në trazirat në Capitol më 6 janar të vitit 2021. Ajo e akuzoi Trumpin se u thoshte grave se çfarë mund të bëjnë me trupat e tyre. Dhe ajo u tall me lavdërimet e Trumpit për diktatorët që “do t’ju hanin për drekë”.
Harris kontrolloi pjesën më të madhe të debatit me sulme të tilla dhe e nxiste Trumpin në përgjigje që të kujtojnë retorikën e tij të egër dhe fiksimin e tij me të kaluarën.
“Ju në fakt i humbët zgjedhjet”, tha Harris për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, të cilat Trumpi i humbi nga demokrati Joe Biden, por që insiston se i fitoi.
”Donald Trump u shkarkua nga 81 milionë persona”, tha Harris duke iu referuar votave të marra nga Bideni në zgjedhjet e vitit 2020.
Por, Harrisi e goditi veçanërisht kundërshtarin e saj kur foli për performancën e tij në tubime, duke vënë në dukje se njerëzit shpesh largohen herët nga ato.
Duke u irrituar dukshëm, Trump këmbënguli se tubimet e tij ishin më të mëdha se ato të saj.
Një Harris e buzëqeshur shpesh e kthente mesazhin nga Trumpi te populli amerikan.
“Nuk do ta dëgjoni atë të flasë për nevojat, ëndrrat dhe dëshirat tuaja. Dhe unë do t’ju them, besoj se e meritoni një president që në fakt ju vë në plan të parë”, tha Harris.
Trump për Harrisin: Ajo është Bideni
Trumpi ishte shpesh në mbrojtje, por ai përçoi mesazhin thelbësor të fushatës së tij: inflacioni dhe imigracioni po godasin amerikanët.
Imigrantët, tha Trumpi, “kanë shkatërruar strukturën e vendit tonë”.
Ai e lidhi vazhdimisht Harrisin me Bidenin.
“Ajo është Bideni”, tha ai.
“Inflacioni më i keq që kemi pasur ndonjëherë”, shtoi Trump. “Një ekonomi e tmerrshme, sepse inflacioni e ka bërë kaq të keq. Dhe ajo nuk mund të ikë nga kjo”.
Harrisi u përgjigj: “Qartë, unë nuk jam Joe Biden dhe sigurisht nuk jam Donald Trump. Dhe ajo që ofroj është një gjeneratë e re e lidershipit për vendin tonë”.
Trump gjithashtu e “ndoqi” Harrisin për largimin nga disa nga qëndrimet progresive që kishte marrë më herët.
“Ajo po shkon në filozofinë time tash. Në fakt do t’ia dërgoja asaj një kapelë MAGA”, tha Trumpi, duke iu referuar kapelave të kuqe të bejsbollit “Make America Great Again” të cilat i mbajnë shumë nga mbështetësit e tij. “Por nëse ajo do të zgjidhej, do ta ndryshonte këtë”.
Një nga momentet më të rëndësishme erdhi në një postim në një nga llogaritë më të ndjekura në Instagram, në momentet pas përfundimit të debatit.
Superylli i muzikës, Taylor Swift, ka një grup të madh të adhurueseve në mesin e grave të reja, një demografi që Harrisit i duhet për të siguruar vota të shumta.
Ajo e quajti Harrisin një “udhëheqëse të talentuar”, duke u thënë fansave të saj që të bëjnë kërkimet dhe të marrin vendimet e tyre.
“Unë kam bërë kërkimin tim dhe kam bërë zgjedhjen time”, tha Swift.
Harrisi në sulm
Moderatori i ABC-së, David Muir, e pyeti Trumpin për pretendimet e tij muajin e kaluar se së fundi është bërë person “me ngjyrë”.
Trumpi u përpoq ta minimizojë këtë çështje.
“Nuk më intereson se çfarë është ajo. Po e bëni të madhe diçka, për të cilën nuk më intereson fare”, tha Trump.
Por, Harris përmendi një listë të gjatë të polemikave racore të Trumpit: marrëveshjen gjyqësore që e kishte arritur në rastin kundër tij për diskriminim ndaj qiramarrësve me ngjyrë në ndërtesat e tij në New York në vitet ’70; reklama e tij që bënte thirrje për ekzekutimin e adoleshentëve të zinj dhe latinë – të cilët u arrestuan gabimisht – në rastin e sulmit dhe dhunimit në Parkun Qendror ndaj Trisha Meilin në prill të vitit 1989; dhe pretendimet e tij të rrejshme se ish-presidenti Barack Obama nuk ka lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Unë mendoj se populli amerikan do diçka më të mirë se kaq, më mirë se kjo”, tha Harris.
Trump e akuzoi Harrisin se po përpiqet të “përçajë” njerëzit dhe i hodhi poshtë pretendimet e saj duke i quajtur të parëndësishme.
Për abortin
Harrisi doli në mbrojtje të së drejtës së abortit, ndoshta çështja më e fortë për demokratët që kur të emëruarit e Trumpit krijon një shumicë në Gjykatën Supreme dhe përmbysën të drejtën kushtetuese për një abort. Argumentet e saj të mprehta dhanë një kontrast të dukshëm me komentet e rrëmujshme të presidentit Joe Biden mbi këtë çështje gjatë debatit në qershor me Trumpin.
“Qeveria dhe Donald Trumpi, sigurisht që nuk duhet t’i thonë një gruaje se çfarë të bëjë me trupin e saj”, tha Harrisi.
Ajo përshkroi vështirësitë e grave që përballen me komplikime mjekësore, vendime të vështira dhe që udhëtojnë jashtë vendit për ta kryer abortin.
Trumpi ishte po aq i ashpër në mbrojtje, duke thënë se ai ua ktheu çështjen shteteve, një rezultat që ai tha se shumë amerikanë e donin. Ai përdori pretendime të rrejshme se demokratët e mbështesin abortin edhe pasi të lindin foshnjat. Ai i qëndroi këtij mendimi edhe pasi u korrigjua nga moderatorja Lynsey Davis.
“Kam bërë një shërbim të madh duke e bërë këtë. U desh guxim për ta bërë”, ka thënë Trumpi për përmbysjen e mbrojtjes kushtetuese për abortin. “Gjykata e Lartë kishte guximin ta bënte këtë. Dhe u jap meritë të jashtëzakonshme atyre gjashtë gjykatësve”.
Sondazhet kanë treguar kundërshtim të konsiderueshëm ndaj përmbysjes së mbrojtjes kushtetuese për abortin dhe votuesit ndëshkuan republikanët në zgjedhjet e fundit për këtë.
Votuesit e pavendosur
Në një komb të ndarë, zgjedhjet do të vendosen përfundimisht nga një pjesë e vogël e votuesve të luhatshëm në një pjesë të vogël të shteteve. Dhe Harrisi bëri një thirrje të qartë për votuesit e të gjithë spektrit politik, përfshirë republikanët.
Ajo tha se ka armë në pronësi. Ajo përmendi “të ndjerin, të madhin John McCain”, duke iu referuar senatorit republikan të Arizonas dhe heroit të luftës, të cilin Trumpi e kritikoi se ishte kapur nga ushtarët e armikut. Ajo renditi shumë republikanë që kanë shërbyer në administratën e Trumpit, e të cilët tash kanë dhënë mbështetje për fushatën e saj.
Trumpi ndërkohë ofroi pak për votuesit në mes, duke injoruar thirrjet që kishte bërë për unitet në fjalimin e tij në konventën e verës.
Harrisi ndërkohë e përdori sulmin në Capitol më 6 janar të vitit 2021 për t’u bërë thirrje të qartë votuesve të pavendosur.
“Është koha për ta kthyer faqen”, tha ajo.
Një Trump i përmbajtur, por edhe me shpërthime të herëpashershme
Demokratët shpresonin dhe republikanët druheshin se Trumpi do ta humbiste qetësinë në skenë. Në fillim nuk e bëri, por ndërsa Harrisi hidhej gjithnjë e më tepër në sulm, Trumpit po i humbte durimi.
Trumpi përforcoi thashethemet se imigrantët haitianë në Ohio po hanë kafshë shtëpiake – Muir i ABC-së vuri në pah se zyrtarët lokalë po thonë se kjo nuk po ndodh – ndërsa ai argumentoi se administrata Biden – Harris po pranonte imigrantë të rrezikshëm.
Kur Harris e konfrontoi Trumpin me një sërë çështjesh penale dhe civile që i ka, ish-presidenti amerikan u zemërua në mënyrë të ngjashme. Ai akuzoi Harrisin dhe Bidenin se ia kanë montuar të gjitha rastet.
“Unë ndoshta mora një plumb në kokë për shkak të gjërave që ata thanë për mua”, tha Trumpi, duke iu referuar atentatit në korrik nga një person i armatosur, motivet e të cilit ende janë të panjohura.
Kur u pyet nëse ai kishte ndonjë përgjegjësi për trazirat në Capitol, Trumpi ngriti zërin, duke fajësuar ish-kryesuesen e Dhomës së Përfaqësuesve në atë kohë, Nancy Pelosi dhe kryetarin demokrat të Uashingtonit. Ai tha se personat që u futën në Capitol ishin “trajtuar aq keq”. Ai sërish mohoi se kishte humbur zgjedhjet e vitit 2020.
Harrisi u përgjigj: “Donald Trumpi u shkarkua nga 81 milionë persona, le të jemi të qartë, dhe është e qartë se ai e ka shumë të vështirë ta përpijë këtë”.
Një konfrontim i hershëm për ekonominë
Debati u hap me një shkëmbim të papritur dhe të çuditshëm për ekonominë.
Harrisi u përball me Trumpin për planin e tij për të vendosur taksa gjithëpërfshirëse dhe po ashtu për deficitin tregtar që kishte vendi derisa Trumpi ishte president. Trumpi e goditi Harrisin për inflacionin, për të cilin gabimisht tha se ishte më i keqi në historinë e vendit.
Trumpi tha se njerëzit shohin me dashuri si ishte ekonomia në mandatin e tij.
“Kam krijuar një nga ekonomitë më të mëdha në historinë e vendit tonë”, tha Trump.
Harrisi ishte e prerë: “Donald Trumpi nuk ka asnjë plan për ju”.
Amerikanët kanë pak më tepër gjasa t’i besojnë Trumpit, sesa Harrisit, kur bëhet fjalë për trajtimin e ekonomisë, sipas një sondazhi të gushtit të “Associated Press – Qendrës NORC për Çështje Publike”.
Çështja e gjinisë
Harrisi do të bëhej gruaja e parë që merr drejtimin e SHBA-së. Por, çështja e gjinisë u përmend vonë gjatë debatit.
Ajo nuk bëri asnjë referencë për natyrën historike të kandidaturës së saj. Ngjashëm edhe Trumpi.
Dhe nuk kishte ndonjë moment, në të cilin gjinia ishte bërë çështje.
Kush mund të harronte vendimin e Trumpit për të qëndruar prapa kundërkandidates së tij, Hillary Clinton, gjatë debatit të vitit 2016? Ai po ashtu e quajti Clintonin një “grua të keqe”.
Por, të martën mbrëma, të dy kandidatët qëndruan te foltoret e tyre ashtu si u instruktuan.