Britania e Madhe ka vendosur të pezullojë menjëherë 30 prej 350 licencave të saja të eksportit të armëve në Izrael, sepse tha se ekziston rreziku që pajisje të tilla mund të përdoren për shkelje serioze të së drejtës ndërkombëtare humanitare. Lajmin e ka kumtuar ministri i Jashtëm britanik David Lammy të hënën, raporton agjencia “Reuters”.
Lammy tha se vendimi për t’i pezulluar licencat nuk përbën një ndalim të përgjithshëm apo embargo armësh, por përfshin vetëm ato që mund të përdoren në konfliktin mes Izraelit e Hamasit në Gaza.
“Ne e njohim natyrisht nevojën e Izraelit për t’u mbrojtur kundër kërcënimeve të sigurisë, por jemi thellësisht të shqetësuar me metodat që përdor Izraeli dhe nga raportet e viktimave civile dhe shkatërrimit të infrastrukturës civile”, tha Lammy në Parlamentin e Britanisë.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, ka thënë se “është thellësisht i dëshpëruar me sanksionet e vendosura nga Britania e Madhe për disa eksporte të armëve”.
“Kjo vjen në një kohë kur ne luftojmë në shtatë fronte. Në kohë kur po mbajmë zi për gjashtë pengje që u ekzekutuan me gjakftohtësi nga Hamasi brenda tuneleve në Gaza”, ka shkruar Gallant në platformën “X”.