Bashkimi Evropian po u bën presionin mbështetësve ndërkombëtarë të Ukrainës që t’i heqin kufizimet në përdorimin e armëve që ato i ofrojnë vendit të shkatërruar nga konflikti, për të lejuar forcat e tij të godasin objektivat brenda Rusisë.
SHBA-ja kufizon përdorimin e raketave balistike me rreze të gjatë veprimi që i ofron Ukrainës dhe disa vende të BE-së gjithashtu kufizojnë përdorimin e armëve të tyre, raporton AP.
“Ne duhet të heqim kufizimet në përdorimin e armatimit kundër objektivave ushtarake ruse, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, ka deklaruar shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ndërsa ministrat e Jashtëm të bllokut u mblodhën të enjten për të diskutuar pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia.
“Armatimet që ne po i ofrojmë Ukrainës duhet të përdoren plotësisht dhe kufizimet duhet të hiqen në mënyrë që ukrainasit të jenë në gjendje të synojnë vendet prej nga Rusia po i bombardon. Përndryshe, armatimi është i padobishëm,” u ka thënë Borrell gazetarëve.
Duke folur së bashku me ministrin e Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, Borrelli dënoi sulmet e vazhdueshme të Rusisë ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile.
"Rusia dëshiron të bombardojë një vend evropian deri në kapitullim të plotë”, ka shtuar Borrell.
Kuleba ndërkaq ka thënë se mbështetësit e Ukrainës do të fajësonin vetëm veten nëse Rusia fiton.
“Suksesi i Rusisë varet nga një gjë: nga gatishmëria e partnerëve për të marrë vendime të guximshme.
Nëse merren vendime, Ukraina është e suksesshme në terren. Nëse nuk merren, atëherë mos u ankoni për Ukrainën, ankohuni për veten tuaj”, është shprehur Kuleba.
Ai ka këmbëngulur se Ukraina dëshiron të sulmojë vetëm "objektivat legjitime ushtarake" brenda Rusisë.
"Nëse na furnizohet një sasi e mjaftueshme raketash, nëse na lejohet të godasim, ne do të ulim ndjeshëm kapacitetin e Rusisë për të shkaktuar dëme në infrastrukturën tonë kritike dhe do të përmirësojmë situatën e forcave tona në terren", ka deklaruar ai.
Ai gjithashtu i kërkoi Perëndimit të përmbushë premtimet për të dërguar shpejt mbështetje ushtarake në Ukrainë.
Kuleba bëri thirrje në veçanti për shpërndarjen e shpejtë të sistemeve të mbrojtjes ajrore Patriot, pasi Rusia sulmon rrjetin energjetik të vendit të tij dhe infrastrukturën tjetër civile.
