Botë

Ukraina do t’ia prezantojë SHBA-së “planin e fitores”, thotë Zelensky

Volodymyr Zelensky

Volodymyr Zelensky

Foto: Associated Press

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se sulmet e trupave të tij në rajonin e Kurskut të Rusisë janë pjesë e një "plani të fitores" që ai do t'ia paraqesë presidentit amerikan, Joe Biden muajin e ardhshëm.

Duke folur në një forum të martën, presidenti Zelensky ka thënë se suksesi i planit do të varet nga presidenti Biden dhe nëse SHBA-ja do t'ia jepte Ukrainës "atë që është në këtë plan apo jo, dhe nëse do të jemi të lirë ta përdorim këtë plan apo jo”, raporton BBC.

“Mund të tingëllojë shumë ambicioze për disa, por është një plan i rëndësishëm për ne”, është shprehur ai, duke thënë se planin do t'ua tregonte edhe kandidatëve për president të SHBA-së Kamala Harris, dhe Donald Trump.

Një numër i madh i trupave ukrainase nisën sulmet në rajonin e Kurskut të Rusisë në fillim të gushtit dhe Rusia deri më tani nuk ka qenë në gjendje t'i zmbrapsë ato.

Duke folur në të njëjtin forum, komandanti i lartë ushtarak i Kievit, gjenerali Oleksandr Syrskyi, ka thënë se Ukraina tani kontrollon 1,294 km katrorë të territorit rus dhe 100 vendbanime.

Gjenerali Syrskyi ka thënë se Ukraina nuk ka ndërmend të mbajë territorin dhe se një motiv për inkursionin ishte të largonte forcat ruse nga ofensiva e tyre në Ukrainën lindore. Rusia po kërkon të pushtojë qytetin e Pokrovsk, i cili është një qendër e rëndësishme dhe shtëpia e një stacioni kryesor hekurudhor.

Presidenti Zelensky ka zbuluar gjithashtu se Ukraina ka kryer së fundmi testin e parë të suksesshëm të një rakete balistike të prodhimit vendas. Ai uroi industrinë e mbrojtjes së vendit të tij, por nuk pranoi të ndajë më shumë detaje të raketës.

LEXO EDHE: