Botë

Ukraina pretendon se ka kapur 100 vendbanime dhe rreth 600 persona në Rusi

Sulmet ukrainase në Kursk

Foto: Associated Press

Ukraina pretendon se ka kapur 100 vendbanime dhe rreth 600 ushtarakë rusë, gjatë operacionit të saj në rajonin e Kurskut të Rusisë, që ka nisur më 6 gusht.

Gjenerali i lartë ukrainas, Oleksandr Syrskyi ka zbuluar për herë të parë shifrat të martën.

Ai ka thënë se trupat e Moskës po përpiqen të kundërsulmojnë në zonë dhe të rrethojnë forcat e Kievit, por se këto përpjekje po zmbrapsen, raporton The Guardian.

Syrskyi ka shtuar se një nga objektivat e operacionit në Kursk ishte të devijonte forcat ruse nga zona të tjera, kryesisht nga Pokrovsk dhe Kurakhove. 

"Operacioni në Kursk devijoi një numër të konsiderueshëm të forcave të Moskës”, është shprehur ai duke vënë në dukje se trupat ruse janë tërhequr nga jugu i Ukrainës. 

"Deri tani, mund të themi se rreth 30,000 ushtarakë janë dërguar në frontin e Kurskut dhe kjo shifër është në rritje”, ka deklaruar Syrskyi.

Ndërkaq, në një konferencë për shtyp të martën, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky zbuloi se Ukraina ka testuar raketën e saj të parë balistike të prodhuar në vend.

Ai ka thënë gjithashtu se Ukraina kishte aftësinë për të prodhuar 1.5-2 milionë dronë këtë vit, por aktualisht i mungojnë fondet për ta bërë këtë.

Në komentet e mëtejshme, të raportuara nga Reuters, Zelensky ka thënë se lufta me Rusinë do të merrte fund përfundimisht përmes dialogut, por se Kievi duhej të ishte në një pozicion të fuqishëm në një samit që shpreson të mblidhet këtë vit për të çuar përpara vizionin e tij për paqen.

Bilanci i humbjeve ruse deri më tani sipas Ukrainës: