Botë

Pavel Durovit i zgjatet paraburgimi në Francë

Pavel Durov

Pavel Durov

Një gjykatës francez ka vendosur për zgjatjen e paraburgimit për shefin ekzekutiv të Telegramit, Pavel Durov, kanë bërë të ditur prokurorët të martën.

Durov është arrestuar të shtunën në aeroportin Le Bourget, si pjesë e një hetimi gjyqësor të hapur muajin e kaluar, që përfshin 12 shkelje të dyshuara kriminale, raporton AP.

Shkeljet për të cilat dyshohet Durov përfshijnë bashkëpunimin në shitjen e materialeve të abuzimit seksual të fëmijëve dhe në trafikun e drogës, mashtrimin, nxitjen e transaksioneve të krimit të organizuar dhe refuzimin për të ndarë informacione ose dokumente me hetuesit kur kërkohet nga ligji. 

Në një deklaratë të zyrës së prokurorit të Parisit thuhet se urdhri për ndalimin policor të Durovit u zgjat të hënën në mbrëmje deri në 48 orë. Pas kësaj, autoritetet duhet ta lirojnë ose të ngritin akuzë ndaj tij.

Durov është shtetas i Rusisë, Francës, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe kombit ishullor të Karaibeve të Shën Kitts dhe Nevis.

Zyrtarët e qeverisë ruse kanë shprehur zemërim për ndalimin e tij, duke e  quajtur atë të motivuar politikisht dhe provë të standardit të dyfishtë të Perëndimit për lirinë e fjalës. Mirëpo, presidenti francez, Emmanuel Macron ka deklaruar të hënën se nuk ka prapavijë politike në arrestimin e Durovit dhe se gjykata duhet të vendosë për të.

Reagimi rus ka nxitur zemërim tek kritikët e Kremlinit sepse në vitin 2018, vetë autoritetet ruse u përpoqën të bllokonin Telegramin, por dështuan, duke e tërhequr ndalimin në vitin 2020.

Të martën, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov ka deklaruar se akuzat kundër Durovit ishin "shumë serioze" dhe theksoi se "ato kërkojnë prova që janë po aq serioze" për të shuar dyshimet që arrestimi i tij ishte i motivuar politikisht.

LEXO EDHE: