Botë

Kush është Hezbollahu?

Një luftëtar i Hezbollahut

Një luftëtar i Hezbollahut

Foto: Associated Press

Hezbollahu është një grup i armatosur mysliman shiit me bazë në Liban dhe një nga forcat ushtarake joshtetërore më të armatosura në botë. Ai financohet dhe pajiset nga Irani.

Grupi gjithashtu luan një rol të rëndësishëm politik në Liban dhe ka marrë pjesë në zgjedhjet kombëtare të vendit që nga viti 1992.

Udhëheqësi i grupit, Sheikh Hassan Nasrallah ka pohuar se ka 100,000 luftëtarë, megjithëse vlerësimet e pavarura thonë se numri shkon midis 20,000 dhe 50,000.

Sulmet ndërkufitare midis Hezbollahut dhe Izraelit janë shtuar që nga 7 tetori, pas sulmeve të Hamasit në Izraelin jugor, ku u vranë rreth 1,200 njerëz dhe 240 u morën peng. 

Izraeli nisi një ofensivë hakmarrëse në Gaza, gjatë të cilës, më shumë se 40,000 palestinezë janë vrarë, sipas ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.

Hezbollahu është cilësuar si organizatë terroriste nga shtetet perëndimore, përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe Izraelin.

A mund të hyjë Hezbollahu në luftë me Izraelin?

Luftimet sporadike të mëparshme u përshkallëzuan më 8 tetor, një ditë pas sulmit të paprecedentë të Hamasit ndaj Izraelit, kur Hezbollahu qëlloi në pozicionet izraelite, në solidaritet me palestinezët.

Që atëherë, ajo ka lëshuar raketa në veri të Izraelit dhe pozicionet izraelite në lartësitë e Golanit, ka gjuajtur raketa antitank në automjete të blinduara dhe ka sulmuar objektivat ushtarake me dronë shpërthyes.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) janë kundërpërgjigjur, duke përdorur sulme ajrore dhe zjarr tankesh dhe artilerie kundër pozicioneve të Hezbollahut në Liban.

OKB-ja thotë se sulmet kanë detyruar më shumë se 90,000 njerëz në Liban të largohen nga shtëpitë e tyre, derisa rreth 100 civilë dhe 366 luftëtarë të Hezbollahut janë vrarë në sulmet izraelite.

Në Izrael, zyrtarët thonë se 60,000 civilë janë dashur të braktisin shtëpitë e tyre dhe 33 njerëz janë vrarë, përfshirë 10 civilë, për shkak të sulmeve të Hezbollahut.

Pavarësisht luftimeve, vëzhguesit thonë se deri më tani të dyja palët kanë synuar të frenojnë armiqësitë pa kaluar vijën në luftë të shkallës së plotë. Por frika është se një incident veçanërisht vdekjeprurës mund të bëjë që situata të dalë jashtë kontrollit.

LEXO EDHE: