Vdekjet nga i nxehti në Evropë mund të trefishohen deri në fund të shekullit, me numrat që rriten në mënyrë disproporcionale në shtetet në jug të Evropës, si Italia, Greqia dhe Spanja, thuhet në një studim.
I ftohti vret më shumë njerëz në Evropë sesa i nxehti, dhe disa thonë se ndryshimet klimatike do të reduktojnë ato vdekje. Por një studim i publikuar në revistën “Lancet Public Health”, ka gjetur se numri i vdekjeve mund të rritet sidomos te njerëzit e moshuar dhe më të cenueshëm ndaj temperaturave të rrezikshme.
Nëse bota arrin temperaturën katastrofike prej 3 ose 4 Celsius, studiuesit kanë thënë se rritja e numrit të vdekjeve nga i nxehti do ta tejkalojë atë nga i ftohti.
Studiuesit kanë theksuar se rezultatet sugjerojnë se ndryshimet klimatike mund të paraqesin “sfida të paprecedentë” për sistemet publike shëndetësore, veçanërisht gjatë valëve të të nxehtit, raportoi The Guardian.
“Shumë më shumë vdekje të lidhura me të nxehtin priten të ndodhin gjatë ngrohjes dhe plakjes së popullsisë, ndërsa vdekjet nga i ftohti shënojnë rënie të lehtë”, ka thënë David Garcia-Leon nga Qendra e Përbashkët Kërkimore në Komisionin Evropian.
I nxehti mund të vrasë 129,000 njerëz në vit nëse temperaturat rriten deri në 3 gradë mbi nivelet paraindustriale. Sot, janë 44,000 vdekje të lidhura me të nxehtin në Evropë. Por, numri i vdekjeve në vit nga i ftohti dhe i nxehti në Evropë mund të rritet nga 407,000 njerëz sot në 450,000 në vitin 2100 edhe nëse liderët botërore e arrijnë synimin e tyre për mbajtjen e temperaturës mesatare në 1.5.
Madeleine Thomson, drejtoreshë e shoqatës për kërkime shëndetësore “Wellcome”, ka thënë se trefishimi i vdekjeve direkte nga i nxehti në Evropë nuk është krejt çka do të ndodhë. Sipas saj, i nxehti ekstrem mund të çojë në aborte dhe përkeqësim të shëndetit mendor.
Studiuesit morën të dhëna nga 854 qytete për të llogaritur vdekjet nga temperaturat e ngrohta dhe të ftohta në Evropë. Ata gjetën se i nxehti do të vrasë më shumë njerëz në të gjitha pjesët e Evropës, por se barrën më të rëndë do ta kenë shtetet jugore si Spanja, Italia dhe Greqia, si dhe pjesë të Francës.
Ata parashikuan se numri i vdekjeve nga temperaturat e larta do të rritet me 13.5% nëse planeti nxehet 3 gradë Celsius – duke çuar në 55,000 vdekje më shumë. Shumica e atyre që vdesin do të jenë më të vjetër se 85 vjeç.