Botë

Egjipti skeptik se arrihet armëpushimi në Gaza

Gaza

Foto: Associated Press

Ndërmjetësuesi kryesor, Egjipti, është shprehur skeptik të mërkurën ndërsa detaje të tjera janë bërë publike të propozimit që ka për qëllim të çojë në marrëveshje armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit. Të enjten negociatat pritet të rifillojnë në Kajro.

Sfidat rreth propozimit duket se po minojnë optimizmin për marrëveshje. Përpjekjet diplomatike janë dyfishuar ndërsa frika për luftë më të gjerë rajonale rritet, që pas vrasjeve të liderëve të Hamasit dhe Hezbollahut.

Zyrtarët në Egjipt i kanë thënë AP-së se grupi militant i Hamasit nuk do të pajtohet për propozimin që ka për synim t’i mbyllë boshllëqet mes të dyja palëve, për disa arsye – ndër tjerash, për shkak të shqetësimit nëse marrëveshja do të largonte vërtet forcat izraelite nga Gaza dhe do t’i jepte fund luftës.

Një zyrtar egjiptian ka thënë se propozimi kërkon zbatimin e fazës së parë të marrëveshjes, që kërkon nga Hamasi lirimin e pengjeve civile më të cenueshme. Palët gjatë fazës së parë do të negociojnë fazat e dytë dhe të tretë pa “garanci” për Hamasin nga Izraeli ose ndërmjetësuesit.

“Amerikanët po ofrojnë premtime, jo garanci”, ka theksuar zyrtari. “Hamasi nuk do ta pranojë këtë, sepse nënkupton se Hamasi do të lirojë pengjet civile në kthim të një pauze gjashtë javëshe të luftimeve pa garanci për negociata për armëpushim të përhershëm”.

Zyrtari ka shtuar se propozimi nuk e thotë qartë se Izraeli do t’i tërheqë forcat e tij nga dy korridoret strategjike në Gaza.

Një zyrtar tjetër i Egjiptit ka thënë se ka pak mundësi për një arritje pasi Izraeli refuzon ta kryejë tërheqjen e plotë nga Gaza në fazën e dytë.

Zyrtari politik i Hamasit, Bassem Naim, pati thënë të martën se propozimi ka marrë disa kërkesa të reja nga kryeministri i Izraelit, përfshirë atë që forcat izraelite të vazhdojnë të mbesin në Rafah, korridoret Philadelphi dhe Netzarim, si dhe të kontrollojë palestinezët që rikthehen në veri të Gazës. Izraeli ka thënë se kontrollet janë të nevojshme për t’i gjetur militantët.