Botë

Blinken thotë se Izraeli e ka pranuar propozimin e ri të SHBA-së, kërkon që Hamasi ta bëjë të njëjtën

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken

Antony Blinken

Pas një takimi afro treorësh me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahy, Sekretari Amerikan Antony Blinken ka thënë se Izraeli ka pranuar propozimin e ri që ka për qëllim për t’i tejkaluar dallimet e të arrihet një marrëveshje armëpushimi në Gaza e të lirohen pengjet

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë të hënën se Izraeli ka pranuar një propozim të ri amerikan për t’i tejkaluar dallimet  që po pengojnë arritjen e një marrëveshje armëpushim në Gaza dhe lirim të pengjeve, ndërsa i ka bërë thirrje Hamasit që ta bëjë të njëjtën gjë. 

Negociatat për armëpushim kanë filluar të marrin ritëm ditëve të fundit, ndërsa diplomatët shpresojnë se një marrëveshje do t’i ndalojë Irani e Hezbollahun që të hakmerren për vrasjen e dy militantëve të lartë për të cilat u fajësua Izraeli. Tensionet në rritje kanë shtuar frikën e një lufte edhe më shkatërruese rajonale. 

Blinken foli pas një takim që zgjati dy orë e gjysmë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu më herët të hënën. Ai do të udhëtojë në Egjipt e Katar për bisedime të mëtutjeshme. 

Tre ndërmjetësit kanë kaluar muaj duke tentuar ta përfundojnë luftën në Gaza, ndërsa bisedimet vazhdimisht kanë ngecur.

“Në një takim shumë konstruktiv që pata sot me kryeministrin Netanyahu, ai ma konfirmoi mua se Izraeli mbështet afrimin e propozimeve”, u ka thënë Blinken gazetarëve. “Hapi i tjetër i rëndësishëm është që Hamasi të thotë ‘po’’. 

Megjithatë, ai ka thënë se edhe nëse Hamasi pranon propozimin, negociatorët do të kalojnë ditët në vijim duke punuar për “mirëkuptime të qarta në zbatimin e marrëveshjes”. 

Ai tha se ka ende “çështje komplekse” që kërkojnë “vendime të vështira nga liderët”, pa ofruar specifika. 

Ai nuk tha nëse propozimi adresonte kërkesat e Izraelit për kontrollimin e dy korridoreve strategjike brenda Gazës, për të cilat Hamasi ka thënë se nuk i pranon, apo çështjet tjera që kanë çuar te dështimi i negociatave. 

Hamasi më herët ka thënë se po e humb besimin në SHBA-në si ndërmjetësuese, duke akuzuar negociatorët amerikanë se janë në anën e Izraelit teksa bëjnë kërkesa të reja që grupi militant i refuzon. 

E Netanyahu ka thënë se ka pasur një “takim të mirë të rëndësishëm” me Blinkenin dhe se e vlerëson “mirëkuptimin që SHBA-ja ka treguar për interesat tona jetike të sigurisë, së bashku me përpjekjet tona të përbashkëta për lirimin e pengjeve tona”. 

Ai ka thënë se po bëhen angazhime për t’u liruar numri maksimal i pengjeve në fazën e parë të marrëveshjes së armëpushimit. 

Ai ka thënë se planifikon të dërgojë një ekip negociatorësh në Egjipt këtë javë. 

Për Blinkenin është misioni i nëntë në Lindjen e Mesme qëkur konflikti nisi në tetor. Ai të hënën pati takim edhe me presidentin e Izraelit, Isaac Herzog. 

Ai tha se “është momenti më i mirë dhe ndoshta i fundit që të arrihet marrëveshja e armëpushimit dhe pengjet të kthehen në shtëpi”. 

“Po ashtu, është koha që të sigurohemi se askush të mos marrë ndonjë hap që mund ta prishë këtë proces”, ka thënë Blinken duke iu referuar Iranit. 

Lufta nisi më 7 tetor kur militantët e Hamsait depërtuan në Izrael dhe vranë afro 1200 persona, kryesisht civilë dhe rrëmbyen rreth 250 të tjerë. Besohet se 110 pengje ende janë në Gaza, ndonëse autoritetet izraelite besojnë se një e treta e tyre kanë vdekur tashmë. Mbi 100 pengje u liruan në nëntor gjatë një armëpushimi njëjavor. 

Në ofensivën e Izraelit në Gaza u vranë mbi 40 mijë palestinezë, sipas shifrave të Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës. Po ashtu, u shkatërrua pjesa më e madhe e territorit.