Botë

Puna e tyre ishte të shpëtonin jetë, por vdiqën në aeroplanin që u rrëzua në Brazil

Brazil

I gjithë Brazili – por veçanërisht të dashurit e viktimave – janë të etur të mësojnë se pse këta njerëz vdiqën

“Ata ishin njerëz të mësuar të shpëtonin jetë, dhe tani ata humbën të tyren në këto rrethana kaq tragjike”, u ka thënë guvernatori i Paranas, Ratinho Junior, gazetarëve në Vinhedo, të premten, duke shtuar se ai kishte miq në atë aeroplan. “Është një ditë e trishtë”.

Arianne Risso punonte çdo ditë për të ndihmuar pacientët e saj ta luftonin kancerin. Kjo e bëri ngjarjen edhe më të trishtë pasi bashkë me shtatë mjekë të tjerë vdiqën pasi një aeroplan u rrëzua në Brazil. 

Ajo hipi në fluturimin fatkeq të premten në qytetin Cascavel, në shtetin Parana, i nisur për në aeroportin ndërkombëtar Guarulho të Sao Paulos. U rrëzua në qytetin Vinhedo dhe pamjet e aeroplanit ATR 72 me dy motorë që binte në tokë ndërsa rrotullohej pandalur, tmerruan të gjithë. U përplas në oborrin e një shtëpie brenda një komuniteti të mbyllur dhe u shndërrua në një gërmadhë. Që të 62 personat në bord vdiqën, në mesin e tyre tetë mjekët, sipas një deklarate nga Këshilli Mjekësor i Paranas. Risso dhe të paktën një prej kolegëve ishin nisur për një konferencë onkologjie për të shtuar njohuritë e tyre rreth sëmundjes që vret qindra e mijërave brazilianë çdo vit. 

“Ata ishin njerëz të mësuar të shpëtonin jetë, dhe tani ata humbën të tyren në këto rrethana kaq tragjike”, u ka thënë guvernatori i Paranas, Ratinho Junior, gazetarëve në Vinhedo të premten, duke shtuar se ai kishte miq në atë aeroplan. “Është një ditë e trishtë”. 

VIDEO - Momenti i rrëzimit të aeroplanit:

Kushërira e Rissos, Stephany Albuquerque, ka rikujtuar në një intervistë përmes telefonit se ato të dyja shpesh kishin luajtur së bashku kur ishin të vogla. Edhe atëherë, Risso dëshironte të bëhej mjeke dhe ndërsa u rrit, ia përkushtoi veten aq shumë studimeve sa rrallëherë dilte jashtë në qytet. Mjekësia ishte në zemër të saj.

“Arianne i trajtonte njerëzit të cilët ishin me sëmundje të pashërueshme në një kohë kur ata luftonin për jetën e tyre. Por Arianne gjithmonë ishte e qasshme dhe bëri çdo gjë me shumë dashuri”, i ka thënë Albuquerque “The Associated Press” nëpërmjet telefonit nga Florida, ku ajo jeton. 

“Ajo nuk ishte nga ata mjekë të cilët do t’i thoshin pacientit, ‘kjo është sëmundja jote, merru me të’. Jo, Arianne kujdesej për njerëzit... Ajo ua jepte numrin personal të telefonit pacientëve”. 

Risso, 34-vjeçare, po udhëtonte me kolegen e saj, Mariana Belim, 31 vjeçe. Të dyja kishin punuar në spitalin për kancer të Cascavelit, dhe në një deklaratë nga ky institucion ato u vlerësuan për ndërgjeshmërinë, kujdesin dhe respektin me të cilat i trajtuan pacientët e tyre. 

“Nuk ishte çudi që lëvdatat për të dyja ato të na vinin shpesh. Dashuria e tyre për profesionin ishte shumë e qartë”, thuhet në deklaratën e spitalit. 

Willian Rodrigo Feistler, mjek i përgjithshëm i cili u rrit në Cascavel, i kishte njohur gjashtë persona të cilët vdiqën në aeroplanin që u rrëzua dhe ishte veçanërisht i afërt me Belimin, me të cilën kishte studiuar dhe e kishin mbajtur shoqërinë për 15 vjet.

“Mariana ishte e qetë me një temperament melankolik, por shumë inteligjente, empatike dhe e përkushtuar në profesionin e saj”, ka thënë Feistler përmes telefonit nga Cascavel. 

“Ajo ia dedikoi shumicën e jetës së saj studimeve dhe trajnimeve të mjekësisë. Ajo tashmë ishte specializuar në mjekësinë klinike dhe po përfundonte specializimin në onkologjinë klinike”, ka shtuar ai. 

Jose Roberto Leonel Ferreira, mjek i pensionuar së fundmi, i cili po ashtu vdiq në aeroplan, ishte një prej mësuesve të Feistlerit gjatë studimeve të tij në universitet. Ai kishte një klinikë radiologjike në Cascavel. 

“Kam shqyrtuar raste me të disa herë. Ai ishte një person i hapur që ndihmoi mjekët e tjerë në diskutimin e rasteve për të gjetur diagnoza”, ka theksuar Feistler. 

Këshilli Federal i Mjekësisë në Brazil ka thënë se humbja e mjekëve e ka lënë botën mjekësore të Brazilit në zi, ndërsa ka shprehur solidaritet me të afërmit dhe miqtë e viktimave. Ata po dilnin nga Cascavel në kërkim të njohurive me synimin për të trajtuar më mirë pacientët e tyre, thuhej në deklaratën e Këshillit.

Për tani, ka më shumë pyetje rreth përplasjes sesa përgjigje. “Metsul”, një prej kompanive meteorologjike më të respektuara të Brazilit, ka deklaruar të premten se ka pasur raportime për ngrirje të thellë në Sao Paulo në kohën kur ka ndodhur përplasja. Mediat lokale kanë cituar ekspertë të cilët e kanë dhënë këtë si shkak potencial, edhe pse të tjerë kanë paralajmëruar që të mos nxitohet për të dalë në përfundime. 

Të dy “kutitë e zeza” të aeroplanit – njëra me të dhënat e fluturimit dhe tjera me audion nga kabina – u morën pas përplasjes. Qendra e Forcave Ajrore për hetimin dhe parandalimin e aksidenteve ajrore ka filluar t’i analizojë në laboratorin e saj në kryeqytet, Brasilia. 

Ministri i Aviacionit, Silvio Costa Filho, ka thënë se qendra po ashtu po hap një hetim penal. Linja ajrore “Voepass” dhe prodhuesi francez-italian “ATR” po u ndihmon hetuesve, thuhet në deklaratën e tij. 

I gjithë Brazili – por veçanërisht të dashurit e viktimave – janë të etur të mësojnë se pse këta njerëz vdiqën. 

“Nuk ishte Zoti ai që ma mori vajzën; nuk ishte Zoti, sepse ai e zgjodhi atë që të shpëtonte jetë”, u tha nëna e Rissos, Fatima Albuquerque, gazetarëve të dielën. Ajo ka thënë se fajëson për përplasjen kapitalistët e etur për përfitime dhe neglizhencën e autoriteteve. 

Stephany Albuquerque i bëri jehonë deklaratës së saj. 

“Vetëm shpresoj që prokurorët do të hetojnë”, ka thënë ajo. “Shpresoj që drejtësia të arrihet, sepse kjo është më e pakta që meritojnë kushërira ime dhe 61 personat e tjerë”.