Kryekomandanti i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskiy, tha të martën mbrëma se forcat ukrainase i kanë marrë nën kontroll 74 vendbanime në rajonin Kursk të Rusisë, raporton “BBC”.
Gjenerali Syrskiy e informoi presidentin Volodymyr Zelensky përmes një videoje dhe i tha se ushtria ukrainase ka përparuar në drejtime të ndryshme deri në 3 kilometra në 24 orët e fundit.
Ai ka thënë se Ukraina ka mrrë 40 kilometra katrorë territor rus.
Zelensky në Telegram tha se është në kontakt të vazhdueshëm me Syrskiyn, për të pranuar raportet nga fronti dhe nga rajoni i Kurskit. Me gjithë vështirësitë dhe betejat intensive, përparimi po vazhdon, tha ai.
“Unë u jam mirënjohës ushtarëve tanë për shërbimin e tyre heroik”, tha ai.
Më vonë, Zelensky tha në një videomesazh se qindra ushtarë rusë janë dorëzuar në duart e forcave ukrainase në rajonin e Kurskit dhe se të gjithë atyre u garantohet trajtim njerëzor.
Ukraina të martën ka insistuar se nuk e ka synim t’i mbajë territoret ruse.
Gjendje emergjente ka shpallur edhe rajoni tjetër rus Belgorod. Guvernatori i këtij rajoni Vyacheslav Gladkov ka thënë se situata është shumë e vështirë dhe e tensionuar nga granatimet ukrainase.
E Rusia ka raportuar se i ka rrëzuar 117 dronë ukrainasë gjatë natës të së martës. Nga Ministria e Mbrojtjes së Rusisë është thënë se u shënjestruan Kursk, Voronezh, Belgorod dhe Nizhny Novgorod.