Moska ka thënë se të martën rreth 300 ushtarë nga Ukraina kanë nisur sulm ndërkufitar në një pjesë të frontit që deri tash ishte i qetë. Raportohet se luftimet po zhvillohen në një qytet 10 kilometra brenda Rusisë, shkruan The Guardian.
Ministria e Mbrojtjes e Moskës të martën vonë ka thënë se deri në “300 militantë ukrainas” nga brigada e 22-të e mekanizuar e Ukrainës nisën sulmin në orën 8 të mëngjesit, të mbështetur nga “11 tanke dhe më shumë se 20 automjete të blinduara luftarake”.
Luftimet u zhvilluan gjatë gjithë ditës midis fshatrave kufitare Nikolayevo-Daryino dhe Oleshnya në rajonin e Kurskut, dhe deri në brendësi të Rusisë në Sudzha, 10 km nga vija e frontit.
Megjithëse Rusia ka thënë se kishte zmbrapsur sulmin, raportet nga blogerët ushtarakë rusë dhe imazhet në rrjetet sociale treguan se sulmi ukrainas ishte i thellë, megjithëse ishte e paqartë se sa larg ka shkuar.
Rybar, një bloger i njohur ushtarak rus, ka thënë të martën në mbrëmje se situata në rajonin e Kurskut mbetet e tensionuar me beteja që po zhvillohen në rrethet kufitare. “Duke gjykuar nga pamjet e fundit, formacionet ukrainase kanë arritur të përparojnë”, shkroi blogeri.
Kjo ishte në kontrast me deklaratën nga Ministria e Mbrojtjes e Moskës, e cila pretendonte se kishte zmbrapsur sulmin. “Pas pësuar humbje, grupi sabotues ukrainas u tërhoq në territorin e tij, ndërsa disa nga luftëtarët u përpoqën të fitonin terren direkt në territorin ngjitur me kufirin shtetëror, ku u bllokuan nga njësitë e ushtrisë ruse”, ka thënë Ministria në një deklaratë.
Udhëheqësit politikë të Ukrainës dhe Ministria e Mbrojtjes nuk komentuan situatën, por një zyrtar pranoi se sulmi po ndodhte.
Andrii Kovalenko, udhëheqës i departamentit kundër dezinformimit në Këshillin Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes së Ukrainës, ka thënë se “ushtarët rusë gënjejnë për kontrollueshmërinë e situatës në rajonin e Kurskut”, duke shtuar se Rusia nuk e kontrollon kufirin.
Qëllimi i sulmit mund të jetë përpjekje nga Ukraina që të detyrojë forcat ruse ta mbrojnë një pjesë të kufirit që ishte kryesisht joaktiv që nga pranvera e vitit 2022 – dhe gjithashtu të rrisin moralin e ushtrisë.
Megjithatë, kritikët në Ukrainë argumentojnë se sulme të tilla nuk i shërbejnë asnjë qëllimi ushtarak afatgjatë. Grupet ruse anti-Kremlin filluan sulme nga Ukraina në rajonet Belgorod dhe Kursk në mars, por u zmbrapsën pa asnjë përfitim strategjik.