Vadim Krasikov, rusi në qendër të shkëmbimit masiv të të burgosurve të enjten mes Perëndimit e Rusisë, ka kryesuar prej kohësh listën e Kremlinit për një shkëmbim. Presidenti rus Vladimir Putin la të kuptohet në fillim të këtij viti se ai ishte i interesuar për një shkëmbim të tillë për ta liruar “një patriot” të mbajtur në Gjermani.
Krasikov 58-vjeçar u lirua nga Gjermania, ku mbahej në burg për vrasje.
Cili ishte krimi i kryer nga Krasikovi?
Krasikov u dënua për vrasjen e 23 gushtit të vitit 2019 të Zelimkhan “Tornike” Khangoshvilit, një gjeorgjian 40-vjeçar që kishte luftuar kundër trupave ruse në Çeçeni e më vonë kishte kërkuar azil në Gjermani.
Khangoshvili ishte qëlluar për vdekje nga prapa pranë “Kleiner Tiergarten”, një park në qendër të Berlinit. Ai u qëllua me një pistoletë me silenciator. Dëshmitarët panë personin e armatosur që hodhi një biçikletë, një armë dhe një paruke të errët në lumin Spree aty pranë. Policia e arrestoi atë para se të arratisej me një skuter elektrik.
Në dënimin e tij me burgim të përjetshëm të kumtuar në vitin 2021, gjyqtarët gjermanë thanë se Krasikov ka vepruar me urdhra të autoriteteve ruse, të cilat i dhanë identitet fals, pasaportë dhe resurse për ta kryer vrasjen.
Krasikov ka shërbyer në njësitin e forcave speciale që i takonte Shërbimit Federal të Sigurisë, apo FSB-së, pasardhëse e KGB-së.
Për Putinin, një veteran i KGB-së, lirimi i agjentëve rusë është i rëndësishëm për sukses të misioneve të ardhshme të fshehta, duke treguar se Moska do të negociojë për lirimin e agjentëve edhe nëse ata kapen.
Si ndikoi rasti te marrëdhënia ruso-gjermane?
Rasti shkaktoi një mosmarrëveshje të madhe diplomatike mes Rusisë dhe Gjermanisë, duke përfshirë edhe dëbime diplomatike.
Krasikov dhe avokatët e tij kundërshtuan fajësinë, duke thënë në fillim të gjyqit se ai ishte identifikuar gabimisht dhe se kishte lindur në Rusi në vitin 1970, e jo në Kazakistan në vitin 1965.
Kryetari i trupit gjykues Olaf Arnold tha se Krasikov – babai i tre fëmijëve – nuk kishte asnjë dënim të mëparshëm, por të dhënat tregojnë se ai ishte kërkuar nga autoritetet ruse për vrasjen e një biznesmeni në Moskë në vitin 2013. Çështja ishte rrëzuar në vitin 2015.
Çfarë tha Kremlini?
Kur Krasikov u arrestua, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i quajti pretendimet për përfshirje të shtetit rus si “absolutisht të pabaza”.
Në një intervistë në shkurt të këtij viti me ish-prezantuesin e “Fox News”, Tucker Carlson, Putin sinjalizoi se Rusia është e gatshme ta shkëmbejë gazetarin e “Wall Street Jounal”, Evan Gershkovich”, të cilin e burgosi me akuza për spiunazh. Mediumi ku punon Gershkovich dhe po ashtu Qeveria e SHBA-së mohuan akuzat.
Putini nuk përmendi Krasikovin, por ai qartë iu referua atij duke folur për një “patriot rus” të burgosur në “një shtet aleat të SHBA-së” për “likuidimin e një banditi” që kishte vrarë ushtarë rusë gjatë luftimeve në Kaukaz.
Çfarë thotë Gjermania për këtë?
Vendimi për lirimin e Krasikovit nuk u mor lehtë, tha Qeveria e Gjermanisë.
Zëdhënësi i kancelarit gjerman Olaf Scholz, Steffen Hebestreit, tha në një deklaratë se lirimi i njerëzve të mbajtur “gabimisht në Rusi” dhe i një gjermani të mbajtur në Bjellorusi mund të arrihet vetëm duke deportuar rusët “me një të kaluar në inteligjencë” që mbahen në Evropë, si rasti i Krasikovit.
“Detyrimi ynë për t’i mbrojtur qytetarët gjermanë dhe solidaritetin me SHBA-në ishin motivime të rëndësishme”, tha Hebestreit.