Ushtria izraelite të enjten ka thënë se ka vrarë shefin ushtarak të Hamasit, Mohammed Deif në një sulm ajror në Gaza më 13 korrik.
Deif u shënjestrua në një sulm të Izraelit në një kompleks në zonën Khan Younis. Hamasi ende nuk e ka konfirmuar vdekjen e tij.
Ushtria izraelite pati thënë në atë kohë se një tjetër komandant i Hamasit, Rafa'a Salemeh, u vra në sulm, por nuk kishte konfirmim përfundimtar mbi fatin e Deifit.
“IDF (Forcat e Mbrojtjes së Izraelit) njoftojnë se më 13 korrik 2024, avionët luftarakë IDF sulmuan zonën Khan Younis dhe pas një vlerësimi të inteligjencës, mund të konfirmohet se Mohammed Deif u eliminua në sulm”, ka njoftuar ushtria izraelite më 1 gusht.
IDF-ja ka thënë se kishte marrë informacion shtesë vetëm në orët e fundit për të konfirmuar vdekjen e Deifit. Sipas tyre, strukturat e mbrojtjes izraelite ishin të bindur qe dy javë se sulmi ajror e kishte vrarë shefin ushtarak të Hamasit.
Mohammed Deif ishte kreu i brigadave Izzedine al-Qassam, krahu ushtarak i lëvizjes Hamas.
Ai u burgos nga autoritetet izraelite në vitin 1989, pas së cilës formoi brigadat me qëllim të kapjes së ushtarëve izraelitë.
Izraeli e akuzoi Deifin për planifikimin dhe mbikëqyrjen e bombardimeve të autobusëve që vranë dhjetëra izraelitë në vitin 1996 dhe për përfshirje në kapjen dhe vrasjen e tre ushtarëve izraelitë në mesin e viteve 1990. Ai gjithashtu ka ndihmuar në ndërtimin e tuneleve që kanë lejuar luftëtarët e Hamasit të hyjnë brenda Izraelit nga Gaza.
Njoftimi i Izraelit vjen pas vdekjes së liderit politik të Hamasit, Ismael Haniyeh, i cili u vra në Teheran të mërkurën, dhe komandantit të lartë të Hezbollahut, Fuad Shukr, i cili u vra në një sulm ajror izraelit në kryeqytetin libanez, Bejrut, të martën.