Botë

Netanyahu para ligjvënësve amerikanë: Ne do të fitojmë

Benjamin Netanyahu

Benjamin Netanyahu

Foto: Associated Press

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se kur Izraeli dhe SHBA-ja qëndrojnë të bashkuar, ato fitojnë.

Në fjalimin e tij para ligjvënësve amerikanë në Kongres të mërkurën, Netanyahu ka thënë se “ne fitojmë dhe ata humbasin”, raporton BBC.

Ai po ashtu ka siguruar Kongresin se “Izraeli do të fitojë”.

Netanyahu ka thënë se 7 tetori “do të jetojë përgjithmonë si një turp” për izraelitët, derisa atë e ka krahasuar më sulmet e 11 shtatorit në New York. 

Gjatë fjalimit të tij, Netanyahu ka prezantuar para ligjvënësve edhe anëtarë të familjeve të pengjeve izraelite që po mbahet nga Hamasi në Gaza. 

E pranishme gjatë fjalimit është edhe pengu i shpëtuar, Noa Argamani.

Netanyahu vlerësoi përpjekjet që çuan në lirimin e pengjeve, përfshirë Argamanin.

“Një nga pengjet e liruar, Noa Argamani, është këtu në galeri, ulur pranë gruas sime Sara”, ka thënë Netanyahu. Anëtarët e Kongresit duartrokitën për Argamanin.

Netanyahu foli për rrëmbimin e Argamanit dhe lutjet e nënës së saj, e cila ka kancer në fazën e fundit, për ta sjellë në shtëpi.

“Noa, ne jemi shumë të emocionuar që të kemi sot me ne”, ka thënë Netanyahu.

Fjalimi i së mërkurës e bën Netanyahun liderin e parë të huaj që ka folur katër herë në një takim të përbashkët të Kongresit, duke tejkaluar edhe Winston Churchillin.

LEXO EDHE: 

Netanyahu thotë se shteti i tij po e pengon Iranin që ta sfidojë Amerikën

8 muaj më parë / 24 kor 2024 21:03
Benjamin Netanyahu

Benjamin Netanyahu

Photo: Associated Press

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka përmendur në fjalimin e tij edhe Iranin, duke thënë se qëllimi i tij i deklaruar është të imponojë "Islamin radikal në botë".

Ai ka thënë se Izraeli dhe SHBA-ja duhet të qëndrojnë në rrugën e tij dhe i ka kujtuar Kongresit se forcat përfaqësuese iraniane kanë sulmuar objektivat amerikanë.

Sipas Netanyahut, Irani beson se "për të sfiduar vërtetë Amerikën duhet së pari të pushtojë Lindjen e Mesme".

"Por në zemër të Lindjes së Mesme, duke qëndruar në rrugën e Iranit, është një demokraci krenare pro-amerikane - vendi im, shteti i Izraelit”, është shprehur Netanyahu.

Netanyahu ka shtuar se kur Izraeli lufton Hamasin, Hezbollahun ose Houthis-t, ai me të vërtetë po lufton Iranin "vrasës".

Ai ka folur edhe për vizionin e tij për Gazën duke deklaruar se Izraeli do të vazhdojë të luftojë "derisa të shkatërrojmë aftësitë ushtarake të Hamasit dhe sundimin e tij në Gaza dhe të sjellim të gjithë pengjet tanë në shtëpi".

"Ne nuk do të kënaqemi me asgjë më pak”, ka thënë Netanyahu gjatë fjalimeve në Kongres.

Ai më pas paraqiti atë që ai e përshkroi si vizionin e tij për një Gazë të re të pasluftës.

“Vizioni im për atë ditë është një Gazë e çmilitarizuar dhe e de-radikalizuar. Izraeli nuk kërkon të rivendosë Gazën, por për një të ardhme të parashikueshme, ne duhet të mbajmë kontrollin mbizotërues të sigurisë atje për të parandaluar rilindjen e terrorit, për të siguruar që Gaza të mos përbëjë më kurrë një kërcënim për Izraelin”, ka shtuar ai.

Netanyahu sulmon protestuesit jashtë Kongresit: Ata duhet të kenë turp

8 muaj më parë / 24 kor 2024 20:38
Benjamin Netanyahu

Benjamin Netanyahu

Photo: Associated Press

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka kritikuar protestuesit e mbledhur jashtë Kongresit, për shkak të fjalimit të tij para ligjvënësve amerikanë.

Netanyahu ka thënë se "këta protestues anti-izraelit zgjedhin të qëndrojnë me të keqen".

“Ata duhet të kenë turp për veten e tyre”, është shprehur ai.

Mijëra njerëz janë mbledhur në Uashington DC teksa po flet Netanyahu. Shumë po protestojnë kundër vizitës së tij.

Netanyahu ka thënë po ashtu se origjina e Izraelit buron pas gjenocidit nazist që ndodhi gjatë Holokaustit e që mori jetën e gjashtë milionë hebrenjve.

"Për shkak të lindjes së Izraelit... populli hebre nuk është më i pafuqishëm përballë armiqve tanë”, ka thënë ai, raporton BBC.

“Për Izraelin, kurrë më, nuk duhet të jetë kurrë një premtim bosh”, ka thënë ai, duke evokuar një frazë të krijuar pas Luftës së Dytë Botërore.

“Pas 7 tetorit, 'Kurrë më' është tani”, ka vazhduar ai. 

Pesë persona janë arrestuar brenda ndërtesës së Kapitolit për përpjekjen e tyre për të ndërprerë adresimin e Netanyahut, sipas policisë.

“Të gjithë janë larguar menjëherë nga Galeria dhe janë arrestuar”, ka bërë të ditur policia në një postim në mediat sociale, raporton BBC.

LEXO EDHE: