Botë

NATO-ja premton “rrugë të pakthyeshme” për anëtarësimin e Ukrainës

Samiti i NATO-s

Samiti i NATO-s

Foto: Associated Press

Anëtarët e NATO-s kanë premtuar mbështetjen e tyre për një "rrugë të pakthyeshme" drejt anëtarësimit të ardhshëm të Ukrainës, si dhe për më shumë ndihmë.

Ndonëse për një afat formal kohor për t'u bashkuar me aleancën ushtarake nuk u ra dakord në samitin në Washington, 32 anëtarët e aleancës ushtarake thanë se kishin mbështetje "të palëkundur" për përpjekjet luftarake të Ukrainës.

NATO ka njoftuar gjithashtu integrim të mëtejshëm me ushtrinë e Ukrainës dhe anëtarët janë zotuar për 40 miliardë euro ndihmë për vitin e ardhshëm, duke përfshirë avionët luftarakë F-16 dhe mbështetjen e mbrojtjes ajrore, raporton BBC.

Sekretari i Përgjithshëm i bllokut Jens Stoltenberg ka thënë se mbështetja për Ukrainën nuk është bamirësi - është në interesin e përgjithshëm.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Sir Keir Starmer dhe presidenti i SHBA-së, Joe Biden ishin midis liderëve të NATO-s që riafirmuan mbështetjen e tyre për Ukrainën në samit.

Lufta në Ukrainë ishte në krye të agjendës në samitin e NATO-s derisa në një deklaratë për të cilën është rënë dakord nga të gjithë anëtarët thuhet se Rusia "mbetet kërcënimi më domethënës dhe më i drejtpërdrejtë" për sigurinë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken konfirmoi se avionët F-16 të prodhuar nga SHBA-ja janë në proces të transferimit në Ukrainë nga Danimarka dhe Holanda.

Kjo do të jetë hera e parë që Ukraina merr një avion të avancuar, diçka të cilën Kievi ka kërkuar prej kohësh. 

Anëtarët e NATO-s ranë dakord të krijojnë një njësi të re për të koordinuar ndihmën ushtarake dhe trajnimin për ushtrinë ukrainase, si pjesë e masave të krijuara për të thelluar lidhjet midis aleancës dhe Ukrainës.

Në deklaratën e përbashkët u tha po ashtu se këto masa, të kombinuara me angazhimet e ndihmës nga anëtarët individualë, "përbëjnë një urë për anëtarësimin e Ukrainës në NATO".