Hamasi ka pranuar propozim të Shteteve të Bashkuara për të filluar bisedimet për lirimin e pengjeve izraelite, përfshirë ushtarë dhe burra, 16 ditë pas fazës së parë të marrëveshjes që synon t’i japë fund luftës në Gaza, ka bërë të ditur një zyrtar i Hamasit për “Reuters”.
Grupi militant islamik ka hequr dorë nga kërkesa që Izraeli të angazhohet së pari për armëpushimin e përhershëm dhe të shfrytëzojë negociatat për ta arritur këtë gjatë fazës së parë gjashtë javore.
Një zyrtar palestinez ka thënë se propozimi mund të çojë në arritjen e një marrëveshjeje kornizë, dhe nëse pranohet nga Izraeli, beson se do t’i jap fund luftës nëntë mujore në Gaza.
Edhe anëtarë të ekipit negociator të Izraelit, kanë pranuar se ekziston shansi real që të arrihet një marrëveshje.
Të premten zyra e presidentit izraelit, Benjamin Netanyahu, bëri të ditur se bisedimet do të vazhdojnë javën e ardhshme dhe theksoi se ka ende boshllëqe mes palëve.
Propozimi i ri siguron garantimin e armëpushimit të përkohshëm, shpërndarjen e ndihmave humanitare dhe tërheqjen e trupave izraelite për sa kohë që bisedimet indirekte vazhdojnë për zbatimin e fazës së dytë të marrëveshjes, ka njoftuar zyrtari i grupit militant Hamas.
Përpjekjet për të siguruar armëpushim dhe lirimin e pengjeve në Gaza janë intensifikuar gjatë ditëve të fundit, me diplomacitë aktive të Washingtonit, Izraelit dhe Katarit, të cilët po udhëheqin bisedimet ndërmjetësuese nga Doha.
Që nga 7 tetori, kur filloi lufta, mbi 38 mijë njerëz janë vrarë nga forcat izraelite në Gaza.
Kufizimet nga ana e Izraelit, luftimet e vazhdueshme dhe prishja e rendit dhe ligjit kanë bllokuar përpjekjet për ofrimin e ndihmave humanitare, duke shkaktuar krizë të urisë në vend.