Laburistët kanë shënuar fitore bindëse në zgjedhjet parlamentare në Mbretërinë e Bashkuar, duke bërë që konservatorët, pas 14 vjetësh, të humbasin pushtetin në një disfatë të cilësuar si katastrofike.
Tani, Keir Starmer do të jetë kryeministri i ri i vendit, raporton “BBC”.
“Ndryshimi fillon tani”, ka thënë Starmer, pas shpalljes së rezultateve preliminare.
E kryeministri në largim i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak, ka pranuar humbjen dhe e ka quajtur fitoren e laburistëve si “vendim të kthjellët” të Britanisë.
“Populli britanik ka dhënë vendim të kthjellët, ka shumë për të mësuar... Dhe unë marr përgjegjësinë për humbjen”, ka deklaruar Sunak.
Ai po ashtu ka bërë të ditur se ka uruar Starmerin për fitoren në këto zgjedhje.
Në zgjedhjet e së premtes laburistët e qendrës së majtë kanë fituar shumicën e ulëseve në Parlamentin britanik, që përbëhet prej 650 vendesh.
Partia Konservatore e Rishi Sunakut e ka pësuar disfatën më të rëndë në historinë e vet.
Në Britani të Madhe nuk ka zgjedhje paraprake apo balotazh, mbahet vetëm një rund votimi. Britania përdor një sistem votimi “first past the post”, që do të thotë se kandidati që përfundon në krye në çdo zonë zgjedhore do të zgjidhet, edhe nëse nuk merr 50% të votave. Kjo në përgjithësi ka çimentuar dominimin e dy partive më të mëdha, konservatorëve dhe laburistëve, sepse është e vështirë për partitë më të vogla të fitojnë vende nëse nuk e kanë të përqendruar mbështetjen në fusha të veçanta.
Sunak i habiti ekspertët dhe shumicën e ligjvënësve të tij gjashtë javë më parë kur caktoi zgjedhjet për 4 korrik, të paktën tre muaj më herët sesa pritej. Derisa shumica e vëzhguesve mendonin se zgjedhjet do të mbaheshin në vjeshtë, Sunak vendosi për më herët, duke shpresuar se lajmet pozitive nga fusha e ekonomisë do ta ndihmonin t’i bindte votuesit se politikat konservatore kishin filluar të funksiononin.
Vendimi ishte aq befasues sepse mandati parlamentar ishte planifikuar të përfundonte në mes të dhjetorit. Zgjedhjet në Britani të Madhe është e përcaktuar të mbahen çdo pesë vjet, por kryeministri mund t’i shpallë ato sa herë që është më e favorshme politikisht.