Botë

Një 12-vjeçar dyshohet se është ngrënë nga krokodili në Australi

krokodil

Një kërkim i madh është duke u zhvilluar në veri të Australisë për një fëmijë që dyshohet se është ngrënë nga një krokodil, shkruan BBC.

12-vjeçari u pa për herë të fundit rreth muzgut të martën, duke notuar në qytetin e largët të Nganmarriyangas.

Policia thotë se një ekip i specializuar kërkimi dhe shpëtimi po merret me rastin pasi “raportet fillestare thanë se fëmija ishte sulmuar nga një krokodil”.

Veriu i Australisë është shtëpia e rreth 100 mijë krokodilëve të ujit të kripur, më shumë se kudo tjetër në botë, por sulmet janë të rralla.

Anëtarët e komunitetit në Nganmarriyanga - i njohur më parë si Palumpa dhe ku jetojnë vetëm 364 njerëz - dhe policia lokale filluan menjëherë kërkimet për fëmijën pasi u zhduk në Mango Creek rreth orës 17:30 me orën lokale.

Tashmë atyre u janë bashkuar oficerë shtesë dhe ekspertë të kërkim-shpëtimit, të cilët po krehin tokën dhe ujin. Sipas mediave lokale, gjithashtu mund të nisë kërkimi ajror.

“Është një incident tragjik për çdo prind apo pjesëtar të familjes të humbasë një fëmijë të vogël, dhe veçanërisht në rrethana të tilla, të marra nga një krokodil”, ka thënë udhëheqësi i policisë në këtë rajon, Brent Potter.