Botë

Koreja e Veriut jep detaje të marrëveshjes së arritur mes Putinit e Kim Jong Un-it

Vladimir Putin dhe Kim Jong Un

Vladimir Putin dhe Kim Jong Un

Foto: Associated Press

Marrëveshja e re ndërmjet Rusisë dhe Koresë së Veriut e arritur nga liderët e dy shteteve të mërkurën në Phenian, kërkon që të dy vendet të përdorin të gjitha mjetet në dispozicion për të ofruar ndihmë të menjëhershme ushtarake në rast lufte, ka bërë të ditur të enjten media shtetërore e Koresë së Veriut.

Si lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ashtu edhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, e kanë përshkruar marrëveshjen e arritur si një përmirësim të madh të marrëdhënieve dypalëshe, duke mbuluar sigurinë, tregtinë, investimet, lidhjet kulturore dhe humanitare. 

Vëzhguesit e jashtëm kanë thënë se kjo mund të shënojë lidhjen më të fortë midis Moskës dhe Phenianit që nga fundi i Luftës së Ftohtë, raporton AP.

Agjencia Qendrore e Lajmeve e Koresë së Veriut të enjten raportoi për disa pika të marrëveshjes gjithëpërfshirëse të partneritetit strategjik. 

Agjencia ka thënë se neni 4 i marrëveshjes thotë se nëse një nga vendet pushtohet dhe shtyhet në gjendje lufte, tjetri duhet të vendosë "të gjitha mjetet në dispozicion pa vonesë" për të ofruar "ndihmë ushtarake dhe ndihma të tjera". 

Por ai gjithashtu thotë se veprime të tilla duhet të jenë në përputhje me ligjet e të dy vendeve dhe nenit 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, i cili njeh të drejtën e një shteti anëtar të OKB-së për vetëmbrojtje.

Samiti mes Kim-it dhe Putinit erdhi ndërsa SHBA-ja dhe aleatët e saj shprehën shqetësim në rritje për një marrëveshje të mundshme armësh, në të cilën Pheniani i siguron Moskës municionet e nevojshme për luftën e saj në Ukrainë, në këmbim të ndihmës ekonomike dhe transferimeve të teknologjisë nga Rusia, që mund të rrisin kërcënimin e paraqitur nga programi i armëve bërthamore dhe raketave të Kim.

Pas samitit të tyre, Kim ka deklaruar se të dy vendet kishin një "miqësi të zjarrtë" dhe se marrëveshja ishte "traktati i tyre më i fortë ndonjëherë", duke e vendosur marrëdhënien në nivelin e një aleance. Ai u zotua për mbështetje të plotë për luftën e Rusisë në Ukrainë. 

Putini ndërkaq e quajti atë një "dokument përparimtar" që pasqyron dëshirat e përbashkëta për të çuar marrëdhëniet në një nivel më të lartë.

Koreja e Veriut dhe ish-Bashkimi Sovjetik nënshkruan një traktat në vitin 1961, i cili sipas ekspertëve kërkonte ndërhyrjen ushtarake të Moskës nëse Veriu do të sulmohej. Marrëveshja u hodh poshtë pas rënies së BRSS-së, e zëvendësuar nga një tjetër traktat në vitin 2000 që ofronte garanci më të dobëta sigurie.