Një numër politikanësh kryesorë në Gjermani po kërkojnë që refugjatëve ukrainas në Gjermani t'u shkurtohet qasja në pagesat e mirëqenies, dhe të regjistrohen përmes sistemit të azilit.
Thirrjet kanë ardhur përpara një takimi të ministrave të brendshëm të 16 shteteve të vendit dhe ministrit të Brendshëm federal. Disa prej tyre thonë se Gjermania është shumë tërheqëse për qytetarët ukrainas sepse i paguan ata më shumë se vendet fqinje, raporton The Guardian.
Rreth 1.1 milionë ukrainas kanë gjetur strehim në Gjermani që nga pushtimi i plotë i Rusisë në vendin e tyre në shkurt të vitit 2022. Ata kanë të drejtë për një pagesë të mirëqenies, e njohur si “Bürgergeld”, ose të ardhurat e qytetarëve, prej 563 euro në muaj. Çiftet marrin 506 euro për person dhe fëmijët kanë të drejtë për pagesa nga 357 deri në 471 euro në muaj, në varësi të moshës së tyre. Shteti gjerman mbulon edhe shpenzimet si qiraja, ngrohja dhe kujdesi shëndetësor.
Këtë vit shteti gjerman do të paguajë midis 5.5 dhe 6 milionë euro për të financuar ukrainasit, sipas ministrisë së Financave.
Thomas Strobl, ministri i Brendshëm për Baden-Württemberg në Gjermaninë jugore, ka thënë përpara takimit se ai shpreson të ketë mbështetje për një ndryshim në politikë.
“Është shumë e mundur që arsyeja që ne kemi një numër veçanërisht të lartë të ukrainasve në Gjermani, në ndryshim nga fqinjët e tjerë si Franca, për shembull, është se ne kemi këto pagesa të larta të mirëqenies sociale, të cilat askush tjetër në Evropë nuk i ka”, ka deklaruar ai.
Refugjatët që vijnë në Gjermani nga Ukraina kanë të drejtën e të ardhurave të qytetarëve, të konsideruara si një pagesë që mbulon kostot bazë të jetesës, që nga qershori i vitit 2022 dhe nuk u është dashur të aplikojnë për azil, në përputhje me një direktivë të BE-së të njohur si rregulli i fluksit masiv sipas të cilit, si persona të zhvendosur, ukrainasve u ofrohet mbrojtje e menjëhershme dhe një status i qartë ligjor.
Kjo u mundëson atyre qasje të menjëhershme në tregun e punës, ndryshe nga azilkërkuesit për të cilët rregullat janë më të komplikuara, statusi i të cilëve kërkon shumë më shumë për t'u sqaruar dhe që marrin më pak para.
Kritikët si Strobl dhe ministrat e brendshëm të Brandenburgut dhe Bavarisë, Michael Stübgen dhe Joachim Herrmann, gjithashtu anëtarë të aleancës konservatore, pretendojnë se nxitja për ukrainasit për të gjetur një punë është e ulët për shkak të nivelit të pagesave.
Qeveria deri më tani ka hedhur poshtë kërkesat për të reduktuar pagesat e mirëqenies sociale për ukrainasit dhe ka thënë se nuk ka plane të rishikojë rregullat.
Herrmann ka drejtuar gjithashtu thirrjet që meshkujt e aftë për shërbimin ushtarak të kthehen në Ukrainë, duke argumentuar se kjo do të ishte në interesin e Gjermanisë e po ashtu të Kievit.
Autoritetet kanë raportuar një normë më të lartë të mbërritjeve të të rinjve ukrainas në Gjermani, veçanërisht pasi Kievi ka reduktuar moshën për rekrutim nga 27 në 26 vjeç.
Sipas agjencisë kombëtare të punësimit, që nga janari i këtij viti pak më pak se 520,000 ukrainas u regjistruan si të punësuar, rreth gjysma e të cilëve kishin gjetur pozicione me kohë të plotë.
Ukrainasit përmendin sfidat në Gjermani rreth çështjeve të tilla si gjuha dhe kujdesi për fëmijët. Rreth 65% janë me një prind të vetëm dhe shumë janë gjithashtu duke u kujdesur për të moshuarit.
Sipas shifrave të UNHCR-së nga shkurti, rreth 6 milionë refugjatë ukrainas të luftës janë regjistruar në Evropë. Gjermania kishte numrin më të madh, e ndjekur nga Polonia, Republika Çeke, dhe Britania e Madhe.
Spanja, Italia dhe Holanda kishin secila më pak se 200,000 të regjistruar. Çdo vend ofron shkallë të ndryshme mbështetjeje, derisa Gjermaninë ofron nivelin më të lartë të saj.