Samiti i G7-s

Zelensky mbërrin në samitin e G7-s, pritet nga kryeministrja Meloni

Volodymyr Zelensky dhe Giorgia Meloni

Volodymyr Zelensky dhe Giorgia Meloni

Foto: Associated Press

E përditësuar (15:20) - Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka mbërritur pasditen e së enjtes në samitin e liderëve të G7-s, që po mbahet në Itali.

Zelensky është pritur nga kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, raporton AP.

Para mbërritjes në samit, presidenti ukrainas ka shkruar në Telegram se pret vendime të mëdha për Ukrainën nga takimi tre-ditor.

Zelensky gjatë samiti pritet të nënshkruajë disa marrëveshje dypalëshe sigurie me SHBA-në dhe Japoninë.


G7-a, një enë vlerash që duam t’ia hapim botës, thotë Meloni

E përditësuar (13:13) - Në fjalën e saj hapëse rreth tryezës së rrumbullakët të samitit të G7-s, kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka thënë se qëllimi i udhëheqjes italiane të G7-ës është për t'i "dhënë vlerë asaj që na bashkon" dhe të jetë në gjendje të "dialogojë me të gjithë".

Sipas saj, grupi nuk është një "fortesë e mbyllur në vetvete", por përkundrazi një "enë vlerash" që ne “duam t'ia hapim botës", raporton BBC.

Meloni ka thënë se Puglia, një rajon në bregun juglindor të Italisë, u zgjodh për të pritur samitin pasi përfaqëson dëshirën e tyre për të forcuar marrëdhëniet me jugun global.

Gjatë tre ditëve të ardhshme, sipas saj, liderët kanë plane për të diskutuar luftërat në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme.

Meloni ka falënderuar kolegët e saj udhëheqës për pjesëmarrjen në samit, duke thënë se ajo ndihet shumë krenare që po i mirëpriste ata në Itali. 


Pozojnë së bashku liderët e shtatë demokracive më të mëdha të botës

E përditësuar (11:50) - Liderët botërorë janë mbledhur së bashku në Puglia të Italisë të enjten, për samitin e radhës të G7-s.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ai francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz, kryeministri kanadez, Justin Trudeau, kryeministri britanik, Rishi Sunak, kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida, shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel janë pritur nga kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni.

Siç e kërkon tradita, liderët kanë pozuar për fotografinë e përbashkët, para fillimit të samitit tre-ditor gjatë të cilit do të diskutohen problemet kryesore botërore aktualisht dhe po ashtu pritet të merren vendime të rëndësishme.


Samiti i G7-s do të hapet me një marrëveshje për shfrytëzimin e aseteve ruse për Ukrainën

Samiti i Grupit të Shtatë do të hapet të enjten me një marrëveshje për një propozim të SHBA-së për të mbështetur një hua prej 50 miliardë dollarësh për Ukrainën, duke përdorur asetet e ngrira ruse si kolateral.

Kjo do të jetë një shfaqje e fortë mbështetjeje për Kievin, raporton AP.

Diplomatët konfirmuan se ishte arritur një marrëveshje përpara se liderët të zbarkonin në Italinë jugore për samitin tre-ditor. 

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky do të jetë gati dhe pritet të nënshkruajë një marrëveshje të veçantë dypalëshe të sigurisë me presidentin e SHBA-së, Joe Biden.

Përtej luftës së Ukrainës, Papa Françesku do të bëhet Papa i parë që do t'i drejtohet një samiti të G7-s. Ai do të flasë të premten për premtimet dhe rreziqet e inteligjencës artificiale, por pritet gjithashtu të ripërsëris apelin e tij për një fund paqësor të luftërave në Ukrainë dhe Gaza.

G7-a përfshin Kanadanë, Francën, Gjermaninë, Italinë, Japoninë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara. Italia nikoqire ka ftuar disa liderë afrikanë, presidentin algjerian, Abdelmadjid Tebboune, presidentin, kenian William Ruto dhe presidentin tunizian, Kais Saied. Të ftuar të tjerë përfshijnë presidentin brazilian Luiz Inácio Lula da Silva, kryeministrin indian Narendra Modi, i ri nga zgjedhja e tij, dhe presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan.

Me Bidenin, kryeministrin britanik Rishi Sunak dhe tani presidentin francez Emmanuel Macron që përballen me zgjedhjet në muajt e ardhshëm, presioni është mbi G7-n për të bërë atë që mundet derisa të zgjasë status quo-ja.