Botë

Shkon në 49 numri i të vdekurve nga zjarri në një ndërtesë në Kuvajt

Kuvajt - zjarri

Ka shkuar në 49 numri i të vdekurve nga zjarri në një ndërtesë banimi në qytetin Mangaf të Kuvajtit, ka bërë të ditur ministria e Brendshme e shtetit.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë zjarrin duke përfshirë pjesën më të ulët të ndërtesës dhe tymin e zi që buron nga katet e sipërme, raporton BBC.

Shumica e të vdekurve raportohet të kenë qenë punonjës të huaj që jetonin në ndërtesë.

Zëvendëskryeministri i Kuvajtit, Sheikh Fahad Yusuf al-Sabah ka akuzuar pronarët e pronës për lakmi, duke shtuar se mosrespektimi i standardeve të ndërtimit ka çuar në tragjedi. 

“Fatkeqësisht, lakmia e pronarëve të pronës ka çuar në këtë. Ata shkelin rregullat dhe kjo është rezultat i shkeljes”, ka deklaruar al-Sabah.

Mediat lokale kanë raportuar se ndërtesa mbante 196 punëtorë dhe ka mendime se mund të ketë qenë e mbingarkuar.


Zjarr në një ndërtesë në Kuvajt, të paktën 41 të vdekur

Një zjarr që ka shpërthyer të mërkurën në një ndërtesë ku po qëndronin punëtorët në qytetin Mangaf në Kuvajt, ka lënë të paktën 41 të vdekur, ka thënë zëvendëskryeministri i Kuvajtit, Sheikh Fahad Yusuf Saud Al-Sabah për agjencinë “Reuters”. 

Zëvendëskryeministri ka akuzuar pronarët e pronave për shkelje të rregullave dhe lakmi, ndërsa ka thënë se këta faktorë kanë kontribuuar në ngjarjen.

Incidenti është raportuar te autoritetet në orën 6 të mëngjesit, sipas gjeneralit Eid Rashed Hamad.

“Ndërtesa ku ka shpërthyer zjarri ka qenë e banuar nga punëtorët dhe ka pasur një numër të madh të punonjësve atje. Dhjetëra janë shpëtuar, por fatkeqësisht ka pasur shumë vdekje për shkak të inhalimit të tymit”, ka thënë një komandant policor. “Gjithmonë alarmojmë dhe paralajmërojmë kundër grumbullimit të shumë punonjësve në një ndërtesë”.

Ministria e Shëndetësisë së Kuvajtit ka thënë se të paktën 43 persona janë shtrirë në spital për shkak të zjarrit.

Autoritetet e kanë shuar zjarrin dhe janë duke hetuar shkakun e tij.