Botë

Pse është duke i akuzuar Rusia fizikanët e vet për tradhti?

Avioni i Forcave Ajrore Ruse MiG-31K që mban raketat hipersonike me saktësi të lartë

Avioni i Forcave Ajrore Ruse MiG-31K që mban raketat hipersonike me saktësi të lartë

Foto: Associated Press

Që nga viti 2015, 12 fizikanë janë arrestuar, të gjithë në njëfarë mënyre të lidhur me teknologjinë hipersonike ose me institucionet që punojnë me të. Ata janë akuzuar për tradhti të lartë. Por kolegët dhe avokatët mbrojtës thonë se shkencëtarët nuk janë të përfshirë në krijimin e armëve dhe se disa nga rastet janë thjesht të bazuara në bashkëpunimet e hapura të tyre me shkencëtarët e huaj.

Presidenti rus, Vladimir Putin, shpesh krenohet se vendi i tij është duke e shtyrë botën drejt zhvillimit të armëve hipersonike, të cilat arrijnë shpejtësi pesë herë më të madhe se ajo  e zërit. 
Por një rrjet i fizikanëve rusë që punojnë në shkencën e këtyre armëve, janë akuzuar për tradhti dhe janë burgosur gjatë viteve të fundit, në atë që grupet e të drejtave të njeriut e shohin si veprim të tepruar.

Shumica e të arrestuarve janë të moshuar dhe tre prej tyre kanë vdekur tashmë. Njëri është marrë nga krevati i spitalit në fazat e fundit të kancerit dhe ka vdekur pas një kohe. 

Një tjetër është Vladislav Galkin, akademik 68-vjeçar, shtëpia e të cilit në Tomsk të Rusisë jugore, është bastisur në prill të vitit 2023.

Burra të armatosur me maska të zeza shkuan atje në orën 4 të mëngjesit, duke kërkuar nëpër dollapë dhe duke mbledhur letra me formula shkencore në to, thotë një i afërm.

Gruaja e Galkinit, Tatyana, thotë se i ka treguar nipërve të tij – të cilëve u pëlqen të luajnë shah me ta – se ai është në një udhëtim biznesi. Ajo thotë se shërbimi i sigurisë së Rusisë, FSB-ja, e ka ndaluar atë të flasë për rastin.

Që nga viti 2015, 12 fizikanë janë arrestuar, të gjithë prej tyre në njëfarë mënyre të lidhur me teknologjinë hipersonike ose me institucionet që punojnë me të.

Ata janë akuzuar për tradhti të lartë, çka e përfshin ndarjen e sekreteve të shtetit me vendet e huaja. 

Gjyqet ruse të tradhtisë mbahen me dyer të mbyllura, prandaj nuk është e qartë se për çfarë janë të akuzuar këta fizikanë.

Kremlini ka thënë vetëm se “akuzat janë serioze” dhe se nuk mund të komentojë më shumë për shkak të përfshirjes së shërbimeve speciale.

Por kolegët dhe avokatët mbrojtës thonë se shkencëtarët nuk janë të përfshirë në krijimin e armëve dhe se disa nga rastet janë të bazuara thjesht në bashkëpunimet e hapura të tyre me shkencëtarët e huaj.

Kritikët sugjerojnë se FSB-ja dëshiron ta krijojë përshtypjen se spiunët e huaj janë të interesuar në armë sekrete.

Fjala hipersonik u referohet raketave që mund të fluturojnë në shpejtësi jashtëzakonisht të lartë dhe gjithashtu ta ndryshojnë drejtimin gjatë fluturimit, për t’iu shmangur mbrojtjes ajrore.

Rusia thotë se ka përdorur dy lloje të tilla në luftën që po e zhvillon në Ukrainë – Kinzhalin, i nisur nga një avion ushtarak dhe raketën Zircon.

Gjithsesi, Kievi thotë se forcat e veta i kanë rrëzuar disa raketa Kinzhal, duke ngritur pyetje për aftësitë e këtyre raketave.

Ndërsa teknologjia është zhvilluar, arrestimet kanë vazhduar.

Konflikti brenda sistemit

Pak pas arrestimit të Galkinit në prill të 2023-s, ai është dërguar në gjykatë në ditën e njëjtë me një shkencëtar tjetër, Valery Zvegintsev, me të cilin ka qenë bashkautor i disa hulumtimeve.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve “Tass” e ka cituar një burim, që thotë se arrestimi i Zvegintsevit mund të ketë ndodhur si shkas i një artikulli të publikuar në një revistë iraniane në vitin 2021.

Galkini dhe Zvegintsevi janë përmendur në një artikull rreth mekanizmave ajrorë për avionët e shpejtësisë së lartë të publikuar nga revista.

Në verën e vitit 2022, FSB-ja i ka arrestuar dy kolegë nga Instituti i njëjtë si ai i Zveginstevit – drejtorin dhe ish-kreun e laboratorit, për punën rreth aerodinamikës së shpejtësisë së lartë. 

Punonjës nga Instituti i Mekanizmave Teorikë dhe të Aplikuar (ITAM) kanë dërguar një letër të hapur në mbështetje të tre kolegëve të arrestuar.

Tani të hequr nga faqja e internetit të Institutit, ku dikur ka thënë se ata janë të njohur për “rezultatet e shkëlqyera shkencore” dhe se “kanë qenë gjithmonë besnikë” ndaj interesave të vendit të tyre. 

Ka thënë se puna që ata kanë ndarë publikisht ka qenë e kontrolluar në mënyrë të përhershme për informacione të kufizuara nga komisioni i ekspertëve të ITAM-it – dhe nuk është gjetur asgjë.

“Hipersoniku është gjë, për të cilën tani je i detyruar t’i dërgosh njerëzit në burg”, thotë Yevgeny Smirnovi, avokat me Divizionin e Parë, organizatë ruse për të drejtat e njeriut. 

Smirnovi i ka mbrojtur shkencëtarët dhe të tjerë të akuzuar për tradhti para se të largohej nga Rusia për në Pragë në vitin 2021, i frikësuar nga pasojat e punës së tij.

Ai thotë se asnjëri nga dhjetëra shkencëtarët, nuk kanë pasur të bënin me sektorin e mbrojtjes, por kanë qenë duke u marrë me çështje shkencore, si për shembull; si deformohen metalet në shpejtësi hipersonike ose efektet e turbulencës. 

“Kjo nuk ka të bëjë me krijimin e raketës, por me studimin e proceseve fizike”, thotë ai dhe tregon se këto gjetje mund të përdoren më vonë nga krijuesit e armëve.

Arrestimet kanë filluar disa vite më parë me Vladimir Lapyginin. Tani 83-vjeçar, ai është burgosur në vitin 2016, por është liruar me kusht katër vjet më vonë.

Ai ka punuar për 46 vjet për Institutin kryesor të kërkimit të agjencisë ruse hapësinore, “TsNIIMash”.
Lapygini është arrestuar si shkas i një pakoje softuerike me kalkulime aerodinamike, të cilën ia ka dërguar një kontakti kinez. Ai thotë se i ka dërguar një version të parë, si pjesë e një diskutimi rreth shitjes së mundshme të pakos së plotë në emër të Institutit.

Por ai këmbëngul se versioni që ka ndarë nuk ka pasur ndonjë informacion sekret, vetëm një shembull të asaj që “është përshkruar përherë nëpër publikime të hapura”.

Lapygini ka thënë se të gjithë të arrestuarit me lidhje të supozuar me hipersonikët, “nuk kanë pasur të bënin” me krijimin e armëve.

Një shkencëtar tjetër i arrestuar ka qenë Dmitry Kolker, specialist nga Instituti i Fizikës Laserike, gjithashtu në Siberi, i cili është arrestuar në vitin 2022 ndërsa ishte i shtrirë në spital me kancer të avancuar të pankreasit. 

Familja e tij ka thënë se akuzat ndaj tij ishin të bazuara në ligjëratat që ka dhënë në Kinë, por se përmbajtja e tyre është aprovuar nga FSB-ja dhe se një agjent ka udhëtuar me të.

Kolkeri ka vdekur dy ditë pas arrestimit të tij, në moshën 54-vjeçare.

“Ky është konflikt brenda sistemit”, thotë një koleg i njërit prej shkencëtarëve të arrestuar, i cili ka dashur të mbetet anonim.

Shkencëtarët ende priten të publikojnë ndërkombëtarisht dhe të bashkëpunojnë me kolegë të huaj, e “në ndërkohë, FSB-ja mendon se kontaktet me shkencëtarët e huaj dhe botimet për revista të huaja janë tradhti e tokës ëmë”, thonë ata.

Shkencëtarët e ITAM-it ndihen njësoj. 

“Ne nuk mund ta kuptojmë si të vazhdojmë ta kryejmë punën tonë”, ka thënë letra e tyre e hapur. “Me çka shpërblehemi sot... nesër bëhet shkak i ndjekjes sonë penale”. 

Ata paralajmërojnë se shkencëtarët janë të frikësuar t’i vazhdojnë hulumtimet në disa aspekte kërkimore, teksa punonjësit e rinj e të talentuar janë duke u larguar nga shkenca. 

Letra ka qenë shembull i rrallë i mbështetjes publike. Institutet tjera, ku kanë punuar shkencëtarët e arrestua nuk kanë komentuar rreth kësaj çështjeje. 

Rastet e tjera nënkuptohet se gjithashtu kanë lidhje me bashkëpunimin ndërkombëtar.

Një hetim rreth dy shkencëtarëve të tjerë ka të bëjë me Hexafly, projekt evropian për krijimin e një avioni civil hipersonik, sipas avokatit Smirnov, i cili ka punuar në këtë çështje.

Ky projekt, tani i përfunduar, është udhëhequr nga Agjencia Hapësinore Evropiane dhe ka filluar në vitin 2012.

Agjencia ka thënë se “të gjitha kontributet dhe shkëmbimet teknike ishin pranuar dhe parashikuar” për marrëveshjet bashkëpunuese midis palëve ruse dhe evropiane të përfshira.

Të dy shkencëtarët janë dënuar me 12 vjet burgim vitin e kaluar, edhe pse Gjykata Supreme e Rusisë e ka urdhëruar rigjykimin e njërit prej tyre.

Arrestimet e tjera janë të lidhura me studimin e aerodinamikës së një mjeti hapësinor që hyn në atmosferën e Tokës.

Kjo është financuar nga skema e Bashkimit Evropian dhe e udhëhequr nga Instituti i Dinamikës në Belgjikë “Von Karman”.

Hetuesit e FSB-së kanë qenë të shqetësuar për një formë koni, që është dukur si raketë ushtarake në hulumtimet, që një nga shkencëtarët, Viktor Kudryavtsev, i ka dërguar Institutit  “Von Karman”, sipas vejushës së tij, Olga.

Instituti thotë se programi, i cili është mbajtur nga viti 2011 deri në 2013, “shumë qartë i ka përjashtuar hulumtimet ushtarake”. Ai thotë se “nuk ka mundur të gjente ndonjë gjurmë të ndarjes së informacioneve sekrete” nga ekipi i Kudryavtsevit.

Grupet e të drejtave të njeriut vërejnë një model.

Smirnovi thotë se, në bisedë private, oficerët e FSB-së kanë pranuar para tij se janë duke u hapur rastet e ndarjes së sekreteve hipersonike “për t’i kënaqur dëshirat e personave në pozitë të lartë”.

Ai beson se FSB-ja dëshiron ta japë përshtypjen se spiunët janë duke i kërkuar sekretet e raketave ruse “për t’ia përmbushur egon” presidentit Putin.

Këto raste vijnë në mes të rritjes së rasteve të tradhtisë.

Mbetjet e asaj që besohet të jetë raketë hipersonike, Ukrainë Foto: BBC

“Vetëm duhet të kesh dyshime ndaj dikujt”

Sergei Davidisi, i cili e udhëheq punën e mbështetjes së të burgosurve politikë rusë në qendrën e të drejtave të njeriut “Memorial”, flet për një “atmosferë të manisë së spiunazhit dhe izolimit”, sidomos nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia.

Duke folur nga Lituania, ku organizata e tij ka lëvizur pasi është dëbuar nga Rusia, Davidisi beson se FSB-ja, e prirë ta tregojë punën e saj, “ndërton statistika raportuese përmes fabrikimit të rasteve”.
Por ai mendon se mund të ketë faktorë të tjerë që kanë çuar në arrestimin e shkencëtarëve, si konkurrenca për kontratat shtetërore, ose madje edhe mesazh nga Kremlini për të shprehur pakënaqësi, e drejtuar ndaj shkencëtarëve të përfshirë në hipersonikë.

Smirnovi thotë se FSB-ja ndonjëherë ofron dënime më të buta nëse të dyshuarit rrëfejnë dhe i implikojnë të tjerët.

Kudryavtsevit i është ofruar një marrëveshje për pranimin e fajësisë, nën të cilën ai do ta pranonte fajin dhe gjithashtu t’ia hidhte atë dikujt tjetër, sipas vejushës së tij, Olga.

Ai e ka refuzuar. Ai ka vdekur nga kanceri i mushkërive në vitin 2021, në moshën 77-vjeçare, para se çështja e tij të dilte në gjyq.

Gjenerali i pensionuar i FSB-së, Alexander Mikhailov, thotë se FSB-ja “duhet ta ruajë konfidencialitetin” e teknologjisë ushtarake. 

Ai thotë se “padyshim” duhet të ketë “baza të konsiderueshme” për dënimet e rënda, si burgimi 14-vjeçar i dhënë njërit nga tre shkencëtarëve të ITAM-it, Anatoly Maslov, në maj.

Sipas Mikhailovi, rritja e tanishme e rasteve të tradhtisë është produkt i zgjerimit të lirisë dhe demokracisë gjatë viteve ’90.

Ai thotë se kjo ka sjellë ndryshim të sjelljes nga koha sovjetike, kur sipas tij, ata me qasje në sekretet e shtetit ishin “të verifikuar tërësisht” dhe se “e kanë kuptuar përgjegjësinë” e ndarjes së këtyre informacioneve.

“Disa njerëz flisnin shumë dhe kështu ndodhën zbulimet e informacioneve”, shton ai.

Sa i përket Galkinit, është bërë më shumë se një vit që nga shfaqja e agjentëve të maskuar. I afërmi i tij thotë se ai i ka kaluar tre muajt e parë në izolim. 

Shkencëtarët e tjerë të arrestuar në Rusi: Alexander Shiplyuk, 57-vjeçar, drejtor i ITAM-së, i arrestuar në 2022-n, në pritje të gjyqit; Alexander Kuranov, ish-drejtor i Ndërmarrjes së Kërkimeve Shkencore në Shën Petersburg për Sistemet Hipersonike, i arrestuar më 2021-n, i dënuar me shtatë vjet burg në prill të 2024-s; Roman Kovalyov, koleg i Vladimir Kudryavtsevit në TsNIIMash, i dënuar në 2020-s me shtatë vjet burg, ka vdekur në vitin 2022.

LEXO EDHE: