Botë

Rrëfimet e burrave ukrainas, viktima të dhunës seksuale nga rusët

Prokuror ukrians

Një prokuror i krimeve të luftës inspekton bodrumin e një ndërtese në Kherson, ku janë mbajtur rreth 30 persona nga rusët Foto: CNN

Monitoruesit e të drejtave të njeriut kanë raportuar për përdorimin e dhunës seksuale nga policia dhe forcat e sigurisë ruse kundër të burgosurve dhe të arrestuarve në Rusi. Tani, siç shihet, kjo është duke u praktikuar edhe në Ukrainë. Dëshmitë e të mbijetuarve tregojnë atë që prokurorët e përshkruajnë si përdorim të dhunës seksuale, për t’i shtyrë ukrainasit të nënshtrohen

Brenda një ore pasi është arrestuar nga forcat e sigurisë ruse, Roman Shapovalenko është kërcënuar me përdhunim.

Më 25 gusht, 2022, një ditë pas Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, ai ka thënë se tre oficerë të armatosur e të maskuar nga Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë (FSB) janë futur në shtëpinë e tij në jug të Ukrainës, në qytetin Kherson, i cili ishte i pushtuar nga forcat ruse në atë kohë. 

Ata kanë kërkuar për prova të krimit në shtëpinë e tij. Prova ishte një mesazh nga telefoni i Shapovalenkos që i ka quajtur ushtarët rusë “orka” – sharje popullore ukrainase për ushtrinë ruse. Ai ka thënë se ishte lidhur, i ishin mbuluar sytë dhe ishte futur në një makinë.

Në ditët pas kësaj, Shapovalenko ka thënë se është elektrizuar në zonën gjenitale, është kërcënuar me përdhunim me një shishe qelqi dhe është shtyrë të besojë se do të sterilizohet. 

“Dukej sikur kishin fetish për organet gjenitale. Ndonjëherë hapej dera, e ata thoshin: ‘Ne do t’i nxjerrim kërbaçët dhe do t’ju përdhunojmë të gjithëve’”, ka thënë menaxheri 39-vjeçar i fermës. 

Gjatë përshkrimit të detajeve, Shapovalenko ndonjëherë ka ndaluar për të qeshur me nervozizëm. Ai ka thënë se humori e ndihmon ta tejkalojë atë që ka përjetuar. Rusët, ka thënë ai, e kanë urryer këtë gjë. “Kam lëshuar një shaka dhe atyre nuk u pëlqeu. Më kanë goditur me boks”.

Përvoja e dhunës seksuale e Shapovalenkos në duart e rusëve është e zakonshme mes ukrainasve – civilë dhe ushtarë – të cilët janë arrestuar qëkur Rusia ka nisur pushtimin e saj.

Monitoruesit e të drejtave të njeriut kanë raportuar për përdorimin e dhunës seksuale nga policia dhe forcat e sigurisë ruse kundër të burgosurve dhe të arrestuarve në Rusi. Tani, siç shihet, kjo është duke u praktikuar edhe në Ukrainë. 

Pak burra kanë folur për këtë, por grupet e të drejtave të njeriut dhe prokurorët ukrainas kanë thënë se rastet janë duke u rritur. Këto krime nuk raportohen shpesh për shkak të stigmës dhe turpit. Raporti vjetor të Këshillit të Sigurimit të OKB-së ka dokumentuar 85 raste të dhunës seksuale në Ukrainë,  52 ndaj burrave, 31 ndaj grave, dhe dy raste ndaj dy të miturve, një djali dhe një vajze.

Sipas një raporti tjetër të zyrtarëve të OKB-së nga 60 burra të intervistuar, 39 kanë qenë viktima të dhunës seksuale gjatë burgosjes në Rusi.

Në zonat e aneksuara nga Moska – Kherson, Donetsk, Zaporizhzhia, Kharkiv dhe Krimea – 4 burra, të intervistuar nga CNN-i, kanë qenë subjekt i elektrizimit të gjenitaleve, lakuriqësisë dhe kërcënimeve me përdhunim. 

Mijëra ukrainas janë dërguar nëpër burgjet ruse. E dëshmitë e tyre tregojnë atë që prokurorët e përshkruajnë si përdorim të vazhdueshëm të dhunës seksuale, për t’i shtyrë ukrainasit të nënshtrohen.

“Ne e shohim shpesh në rajone të ndryshme të pushtuara. Ata përdorin metodën e njëjtë të kryerjes së dhunës, të poshtërimit, të njëjtën që na e përshkruajnë viktimat”, ka thënë Anna Sosonska, prokurore ukrainase. Këto poshtërime, sipas saj, janë kryer kundër burrave.

‘Ata kanë qeshur’

Roman Chernenko ka thënë se i ka kaluar shtatë muaj në një burg të qytetit të pushtuar Olenivka, në lindje të rajonit Donetsk, pasi ishte kapur nga forcat ruse në Mariupol. Oficeri 29-vjeçar i inteligjencës – me nofkën “Omen” – ka përshkruar se është torturuar gati tri herë në ditë, çdo ditë, për katër muaj.
“Tapiku është telefon ushtarak me dy tela. Një lidhet në testikuj, tjetri në gisht dhe veç vazhdojë ta rrisnin rrymën”, ka thënë ai. “Kjo vazhdon derisa t’ju tregojmë çfarë duan”.

Ai ka thënë se beson që oficerët nga Gardha Kombëtare e Rusisë (GRU), Shërbimi Federal i Ndëshkimit Rus (FSIN) dhe FSB-ja, Agjencia kryesore e inteligjencës ruse kanë marrë pjesë në tortura.

Chernenko është liruar si pjesë e ndërrimit të të burgosurve në janar dhe është duke u rikuperuar nga kjo. Mendimet e të dashurës dhe nënës së tij i kanë dhënë fuqi të gjatë robërisë.

“Ata qesheshin kur më torturonin... më thoshin se nëna ime ishte duke u dhunuar nga çeçenët. Më dërguan dy herë për të më qëlluar, më kërcënuan me përdhunim”, ka thënë ai.

Përdhunimi dhe dhuna seksuale janë të ndaluara nga Konventa e Gjenevës dhe mund të rezultojnë në krim lufte. Ekzekutimi tallës konsiderohet formë torture në të drejtën ndërkombëtare.

Sipas prokurorëve ukrainas, që po i hetojnë rastet e dhunës seksuale dhe abuzimit, të gjitha provat tregojnë se kjo është taktikë e rusëve.

“Kjo është taktikë e rusëve e po ndodh në rajonet e pushtuara. Gjithkund ku ndodhen trupat ruse, ka  raste të dhunës seksuale dhe dhunës në baza gjinore. Duket se është politikë ruse”, ka thënë Sosonska.

Në maj, Ukraina zyrtarisht i ka regjistruar 293 raste të dhunës seksuale, edhe pse Sosonska ka thënë se është e pamundur të vlerësohet numri i saktë. 

Rreth 37.000 qytetarë ukrainas janë të pagjetur, sipas zyrës së Avokatit të popullit të Ukrainës, me mijëra që besohet se mbahen në paraburgim dhe janë në rrezik të torturës dhe dhunës seksuale.

Sipas OKB-së, shkalla e vërtetë mund të mos dihet kurrë, meqë vetëm një pjesë e vogël e viktimave flasin, sidomos burrat.

Disa viktima meshkuj mund ta përshkruajnë atë si “torturë”. Dallimi, sipas Sosonskas, është i rëndësishëm në rastet e ardhshme gjyqësore dhe tribunalet e luftës. 

Anna Mykytenko, drejtuese e ekipit ukrainas në organizatën joqeveritare ndërkombëtare për Pajtueshmërinë me të Drejtat Globale (GRC), , ka thënë se dëshmitarët dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale kanë dëshmuar se trupat ruse e kanë quajtur “dënim”.

“Në disa fshatra në jug, dëshmitarët dhe të mbijetuarit thonë se ushtarët rusë kanë ardhur në fshat dhe kanë kërkuar gratë e ushtarëve ukrainas, nënat ose motrat”, ka thënë Mykytenko.

Sipas saj,  shumë nga rastet e reja prekin edhe viktimat mashkuj, sidomos të dënuarit.

“Krimet seksuale janë të shpeshta në qendrat e dënimit, ku të burgosurit ose civilët janë kërcënuar me përdhunim ose abuzim seksual, çka kryhet shpesh nga forcat e armatosura ruse”, ka thënë ajo.

“Qasje sistematike”

Zyra e Avokatit të popullit të Ukrainës ka thënë që beson se forcat e armatosura ruse dhe Ministria e Mbrojtjes, janë trupat qeveritare që janë përgjegjëse të asaj që po ndodh në objektet e dënimit.

Gjithsesi, është “Rosgvardia” – forcat policore paramilitare, përgjegjëse për zonat e pushtuara ukrainase – dhe FSB-ja që duket sikur po i nxisin fushatat e torturës dhe dhunës seksuale, sipas Zyrës dhe shërbimit të inteligjencës ushtarake ukrainase.

Që nga fillimi i pushtimit në 2022-n, FSB-ja ka hapur disa zyra rajonale në Ukrainën e pushtuar për të rekrutuar agjentë dhe për të mbledhur informacione, në Donetsk, Luhansk, Krime dhe në rajonet e Khersonit dhe Zaporizhzhias.

Disa të mbijetuar nga këto vende kanë thënë se autorët ose e kanë identifikuar veten ose janë referuar si oficerë të FSB-së.

Ndërkohë, anëtarë të “Rosgvardias” janë duke punuar me ushtrinë ruse për të kapur aktivistë, ndalur protesta dhe të shpërndarë terror në popullatën civile.

SBU-ja, shërbimi i sigurisë ukrainase, ka arritur të kapë disa zyrtarë të “Rosgvardias" dhe FSB-së, që ose kanë qenë ushtruesit ose lejuesit e dhunës seksuale mbi njerëzit e dënuar. 

SBU-ja dhe zyra e prokurorisë rajonale në Kherson e kanë identifikuar Aleksandr Naumenko, nënkryetar i “Rosgvardias” në rajonin e Rostovit në Rusi, si të dyshuar në dhjetëra raste. Sipas autoriteteve ukrainase, ai personalisht e ka urdhëruar torturën seksuale ndaj të paktën 17 viktimave.

Dy oficerë të tjerë të “Rosgvardias” - Oleksandr Chilengirov dhe Yehor Bondarenkov – gjithashtu janë akuzuar për torturën e të paktën 24 viktimave.

Zëvendëssekretarja e përgjithshme e OKB-së, Amina Mohammed, e ka theksuar nevojën për ta ndaluar dhunën seksuale në konflikt.

Zyrtarët ukrainas kanë thënë se është e vështirë të zbulohet secili autor i krimeve seksuale. Prokurorët ukrainas kanë shpallur si të dyshuar 42 zyrtarë rusë, kanë ngritur 19 aktakuza kundër 28 personave dhe ka dënuar pesë persona. Gjithsesi, asnjëri autor i pretenduar nuk mbahet në paraburgim.

Oleksii Butenko, prokuror i rajonit të Khersonit, ka thënë se dhuna seksuale është strategji e Rusisë, “për ta shkatërruar identitetin kombëtar ukrainas”.

“Ne mund të flasim për një qasje sistematike – 17 burra janë identifikuar se janë abuzuar seksualisht brenda një dhome torture”, ka thënë ai. “Mund të themi se udhëheqja, jo vetëm autorët, por edhe e menaxhmenti, është përgjegjëse – ata e kanë dhënë aprovimin për kryerjen e këtyre krimeve”.

“Ata po kënaqeshin”

Andrii, banor i Khersonit i mbajtur në paraburgim nga rusët, akoma i kujton britmat e të burgosurve të tjerë, më shumë se një vit pas lirimit të tij. 

“Na mbanin në një bodrum. Ishte dhomë e vogël pa mobilie, kemi fjetur në kartonë dhe kemi përdorur një kovë si tualet”, ka thënë Andrii, në dukje me nervozizëm gjatë përshkrimit.

“U mora i fundit për pyetje, në mënyrë që t’i dëgjoja torturimet në dhomën ngjitur. Nuk i dëgjoja bisedat, vetëm britmat dhe rënkimin. Fjetja ishte e vështirë për shkak të britmave”, ka thënë ai. “Nuk e di kush ishte ai burrë apo çfarë i ka ndodhur... por ishte nxjerrë në korridor, e është përdhunuar me shkop, për t’u parë dhe dëgjuar nga të gjithë”.

Sipas Andriit, kërcënimet e përdhunimit dhe elektrizimit gjenital kanë qenë normë e forcave ruse. “Atyre u pëlqente. Ata po kënaqeshin”, ka thënë ai.

Sipas prokurorëve ukrainas, rusët kanë përdorur objekte të ndryshme si shkopinj, gypa, shishe, bishta të lopatave, shtaga dhe lapsa. 

Zyra e Sosonskas është duke marrë në pyetje individët, gjithashtu për të mbledhur prova që të përdoren në gjyqet ndërkombëtare për të sjellë përgjegjësit para drejtësisë. 

ICC-ja veç se ka lëshuar një urdhërarrest për komisioneren e presidentit rus Vladimir Putinit, Maria Lvova-Belova, mbi një skemë të supozuar për t’i dërguar fëmijët ukrainas në Rusi. Kremlini i ka mohuar këto pretendime. 

Sipas Sosonskas, si dërgimet e fëmijëve ashtu edhe dhuna seksuale janë pjesë e asaj që ajo e quan “fushatë gjenocidi të Rusisë”.

“Kjo po ndodh tani”

Oleksii Sivak e ka ditur se rusët janë pas tij, pasi është marrë fqinji i tij Shapovalenko. 29-vjeçari nga Khersoni e ka ndihmuar atë për të vendosur flamuj ukrainas nëpër lagjen e tyre për Ditën e Pavarësisë së Ukrainës. 
Të dy burrat kanë qenë vullnetarë civilë. Shapovalenko ka shpërndarë furnizime, ka ndihmuar njerëz të evakuohen dhe ka ndarë informacione për trupat ruse me ushtrinë ukrainase, ndërsa Sivaku ka punuar në një kuzhinë që përgatiste supë, ka organizuar asistencën, ka shpërndarë fletëpalosje dhe ka vendosur postera dhe flamuj.

“Ne ishim në dijeni për dhomat e torturës; e dinim se njerëzit nuk kthehen që aty. Kam shkuar të dërgojë supë, i kam paralajmëruar njerëzit, i kam prerë kontaktet dhe jam kthyer në shtëpi për t’i pritur”, ka thënë ai. “Fshehja ose largimi nuk kanë qenë opsion, meqë trupat ruse shënjestrojnë të afërmit”.

Ai ka thënë se tetë burra kanë ardhur për ta arrestuar - me fytyra të mbuluara – dhe e kanë dërguar te FSB-ja.

Ai është rrahur dhe torturuar me elektricitet. “Ata e kanë quajtur këtë ‘detektor të gënjeshtrave’ dhe dukej se po kënaqeshin, duke më pyetur ‘a do ta thërrasësh Zelenskyn?’”, ka thënë ai.

“Së pari kanë vendosur kapëse në veshët e mi dhe gjatë elektrizimit, më rrihnin me shkop, më shkelmonin, godisnin... e pastaj i vendosën kapëset të gjenitalet e mia. ‘Do të të sterilizojmë’ kanë thënë ata”. Sivaku beson se rusët e kanë bërë këtë për ta poshtëruar.

Prej dhjetëra burrave të mbajtur atje, Sivaku ka thënë se gati gjysma janë torturuar seksualisht. “Është sistem i plotë. Katër burra më torturuan, ishin të paguar. Po, nuk kanë tru, janë kafshë, por nëse burgosen, çfarë do të ndodhë me shefat e tyre? Ata menaxhoheshin e urdhëroheshin nga dikush”.

Ukraina është përgatitur për procesin e sjelljes së autorëve para drejtësisë – duke i mbrojtur viktimat. Prokurorët e Sosonkas, zyrtarët qeveritarë dhe nëpunësit civilë, kanë marrë trajnime të specializuara për qasjet ndaj viktimave, të nisin hetime dhe të komunikojnë me viktimat. Disa nga këto trajnime janë ofruar nga OKB-ja, organizatat joqeveritare dhe grupet e mbështetjes së viktimave.
Do duhen vite që gjykatat të vendosin dhe viktimat të flasin.

“Disa të mbijetuar mund të jenë të gatshëm për të dëshmuar brenda disa muajve, kurse disa, mund të mos jenë gati kurrë”, ka thënë Sosonska.

Shapovalenko ka thënë se dëshiron që të gjithë ta dinë historinë e tij – dhe çfarë po u ndodh të tjerëve. 

“Dua t’u tregoj të gjithëve se jo vetëm na kanë pushtuar, kanë qëndruar me armë dhe janë larguar. Nuk ishte kështu”, ka thënë ai. “Dhe gjëja më e tmerrshme është se dhuna është duke ndodhur tani në territoret e pushtuara”.