Botë

Një i vdekur nga reshjet e mëdha dhe përmbytjet në Gjermaninë jugore

Përmbytje në Gjermani

Përmbytje në Gjermani

Foto: Associated Press

Një zjarrfikës vullnetar vdiq gjatë një operacioni shpëtimi si pasojë e shiut të dendur dhe përmbytjeve në jug të Gjermanisë, ka bërë të ditur policia lokale të dielën.

42-vjeçari vdiq pasi anija e tij e shpëtimit u përmbys pranë Pfaffenhofen në Bavari, raporton The Guardian.

Shirat e dendur që filluan të premten kanë shkaktuar përmbytje në të gjithë shtetet jugore të Baden-Württemberg dhe Bavarisë.

Operatori gjerman hekurudhor, Deutsche Bahn, ka bërë të ditur të dielën se lidhja hekurudhore midis Shtutgartit dhe Augsburgut ishte e mbyllur për shkak të motit të ashpër.

Dy vagona të një treni me shpejtësi të lartë që udhëtonte në linjë dolën nga shinat pas një rrëshqitjeje, sipas raporteve të mediave.

Asnjë nga pasagjerët në bord nuk u lëndua, në incidentin që ndodhi vonë të shtunën, afër Schwäbisch Gmünd, në Baden-Württemberg.

Reshjet e dendura të shiut dhe përmbytjet kanë vazhduar edhe të dielën, derisa lumenjtë po dalin nga shtrati.

Qyteti jugor bavarez i Wertingen po përballet me ujëra deri në bel, pasi lumenjtë Zusam dhe Laugna u vërshuan, duke përmbytur pjesë të qytetit të dielën në mëngjes.

Popullsisë lokale i është kërkuar të lëvizë në një zonë më të lartë të shtunën.

Shumë shoferë u përpoqën t'i çonin veturat e tyre në zonë më të sigurta, duke lëvizur nëpër rrugët e përmbytura.

Gjashtë rrethe të Bavarisë kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme dhe ka paralajmërime për më shumë shira dhe stuhi në ditët dhe javët në vijim.