Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka paralajmëruar Perëndimin se anëtarët e NATO-s në Evropë po luajnë me zjarrin duke propozuar që Ukrainës t’i lejohet përdorimi i armëve perëndimore për të goditur territorin rus, gjë që presidenti rus ka thënë se mund të shkaktojë konflikt global, shkruan Reuters të mërkurën.
Kur kanë kaluar më shumë se dy vjet në luftën më vdekjeprurëse tokësore në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, Putini ka folur gjithnjë e më shumë për rrezikun e një konflikti shumë më të gjerë global, ndërsa Perëndimi po përpiqet të pengojë avancimin e trupave ruse në Ukrainë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, presidenti i Francës, Emmanuel Macron e kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, e kanë mbështetur idenë që anëtarët e NATO-s duhet ta lënë Ukrainën ta godasë territorin rus me armë perëndimore. Ideja s’po përkrahet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Përshkallëzimi i vazhdueshëm mund të çojë në pasoja të rënda. Nëse këto pasoja të rënda ndodhin në Evropë, si do të sillen Shtetet e Bashkuara, duke pasur parasysh barazinë tonë në fushën e armëve strategjike? Është e vështirë të thuhet - a duan konflikt global?”, ka thënë Putin para gazetarëve në Tashkent.
Putini ka thënë se sulmet e Ukrainës ndaj Rusisë me armë me rreze të gjatë kanë nevojë për ndihmë satelitore, inteligjente dhe ushtarake perëndimore – “kështu që Perëndimi do të përfshihej drejtpërdrejt”. Ai ka thënë se dërgimi i trupave franceze në Ukrainë do të ishte hap drejt një konflikti global.
Duke folur për anëtarët e NATO-s në Evropë, Putin ka thënë se vendet e vogla “duhet të jenë të vetëdijshme se me çfarë po luajnë, pasi ato kanë sipërfaqe të vogla tokësore dhe popullsi shumë të dendur”.
“Ky është faktor që ata duhet ta kenë parasysh përpara se të flasin për goditje në territorin rus”, ka thënë Putin.