SHBA-ja nuk beson se Izraeli ka nisur pushtim të shkallës së plotë të qytetit jugor të Gazës, Rafah, ka thënë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, raporton “BBC”.
Ai foli disa orë pasi forcat izraelite arritën në pjesën qendrore të qytetit dhe u raportua se morën një kodër të rëndësishme strategjike nga e cila mund ta shohin kufirin me Egjiptin.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka thënë këtë muaj se ai do ta kufizojë furnizimin e Izraelit me armë nëse futet “në qendrat e populluara” në Rafah, ku besohet e qindra mijëra civilë ende strehohen.
Kirby po ashtu është pyetur për sulmin izraelit dhe zjarrin nga i cili vdiqën të paktën 45 palestinezë – shumica gra, fëmijë e të moshuar – të dielën në një kamp për persona të zhvendosur.
Izraeli tha se në sulm ishin vrarë dy zyrtarë të lartë të Hamasit, dhe se besohet se zjarri u shkaktua nga shpërthimi në një depo të armëve të Hamasit.
Duke folur për gazetarët, Kirby ka thënë se pamjet pas sulmit ishin “të tmerrshme dhe zemërthyese”.
“Nuk duhet humbur jetë të pafajshme si rezultat i këtij konflikti”, ka thënë Kirby.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka thënë se po shikon para që Ushtria e Izraelit të kryejë një hetim të shpejtë dhe të përgjithshëm.
Të hënën e të martën janë raportuar për sulme të reja në Rafah, ku si pasojë kanë humbur jetën 37 persona.
Kur është pyetur zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, nëse sulmet kanë shkelur kufijtë që kishte vendosur më herët Bideni, ai tha se nuk ka “ndryshime në politika”.
“Ne nuk përkrahim operacion masiv tokësor në Rafah. Presidenti ka thënë, se nëse ndodh, atëherë mund të marrë vendime ndryshe sa i përket përkrahjes. Nuk e kemi parë se po ndodh kjo aktualisht. Nuk kemi parë futjen e numrave të mëdhenj të trupave, e njësiteve dhe goditje ndaj shënjestrave të shumta në terren”, ka thënë Kirby.
Izraeli ka insistuar se nuk do të jetë në gjendje të arrijë fitore të plotë kundër Hamasit nëse nuk futet në Rafah.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) së pari nisin operacionin ushtarak në Rafah më 6 maj, fillimisht në lindje të qytetit.
Që nga atëherë, tanket dhe trupat gradualisht kanë depërtuar në qendër të qytetit e po ashtu nga veriu përgjatë kufirit 13-kilometërsh me Egjiptin.