Gaza

Sulmet izraelite në Rafah lanë të vdekur të paktën 37 palestinezë

Rafah - tanket izraelite

Ushtria izraelite ka vazhduar sulmet në Rafah. Në sulmet e mbrëmjes të së hënës dhe orëve të hershme të së martës raportohet se humbën jetën dhjetëra persona, shumica prej të cilëve ishin të strehuar në tenda

Granatimet dhe sulmet ajrore izraelite të martën në periferi të qytetit jugor Rafah, kanë lënë të vdekur të paktën 37 persona, shumica prej të cilëve ishin duke u strehuar në tenda, kanë treguar dëshmitarët, punonjësit e emergjencës dhe zyrtarët e spitalit. Është goditur zona e njëjtë ku sulmet ajrore të dielën shkaktuan një zjarr vdekjeprurës në një kamp ku po qëndronin palestinezët e zhvendosur e si pasojë e të cilit, vdiqën të paktën 45 persona. 

Zjarri në kampin me tenda të dielën ka shkaktuar zemërim të gjerë, përfshirë edhe te disa prej aleatëve më të afërt të Izraelit. 

Dhe në një shenjë të izolimit në rritje të Izraelit në skenën botërore, Spanja, Norvegjia dhe Irlanda njohën zyrtarisht një shtet palestinez të martën. 

Ushtria izraelite ka pretenduar se zjarri i të dielës në kampin me tenda mund të jetë shkaktuar nga shpërthime dytësore - nga armët e militantëve palestinezë. Rezultatet e hetimit fillestar të Izraelit për zjarrin u publikuan të martën. 

Zëdhënësi i Ushtrisë së Izraelit, admirali Daniel Hagari, tha se hetimet po vazhdojnë, “por municionet e përdorura nga forcat izraelite kanë qenë shumë të vogla për të qenë burim i zjarrit”. 

Sulmi apo zjarri i mëpasshëm mund të jetë iniciuar gjithashtu nga ndonjë karburant, bombole gazi gatimi apo materiale të tjera në kamp, tha ai.

Në zjarrin të dielën humbën jetën 45 palestinezë, siç njoftuan zyrtarët shëndetësorë të Gazës. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se zjarri ishte rezultat i një “gabimi tragjik”. 
Ofensiva e Izraelit në Rafah, e nisur më 6 maj, shkaktoi zhvendosjen e afro 1 milion banorëve nga qyteti, shumica prej të cilëve ishin zhvendosur disa herë në afro tetë muaj luftë mes Izraelit e Hamasit. 

Familjet tash janë shpërndarë nëpër kampet e improvizuara me tenda dhe zona të tjera të shkatërruara nga lufta. 

Sulmet gjatë ditëve të fundit kanë goditur zonat në perëndim të Rafahut, të cilat nuk janë urdhëruar nga ushtria izraelite për t’u evakuuar. Trupat tokësore dhe tanket izraelite kanë operuar në lindje të Rafahut, në pjesët qendrore të qytetit dhe përgjatë kufirit Gaza – Egjipt. 

Granatimet në orët e vona të së hënës dhe orët e hershme të së martën goditën qarkun perëndimor të Rafahut, Tel al-Sultan, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 16 personave, ka thënë Mbrojtja Civile Palestineze dhe Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze. Shtatë të vdekur ishin në tenda pranë një objekti të Kombeve të Bashkuara rreth 200 metra nga vendi i sulmit dhe zjarri i të dielës mbrëma. 

“Ishte natë tmerri”, tha Abdel-Rahman Abu Ismail, një palestinez nga Gaza City, që ishte strehuar në Tel al-Sultan që nga dhjetori. 

Ai tha se dëgjoi “zhurma të vazhdueshme” të shpërthimeve gjatë natës të së hënës dhe orëve të para të së martës, duke shtuar se avionë luftarakë e dronë fluturonin mbi zonë. 

Ai tha se ia kujtoi pushtimin izraelit të lagjes së tij Shijaiyah në Gaza City, ku Izraeli lansoi bombardime të fuqishme para se të dërgonte trupat tokësore në fund të vitit 2023. 

“Ne e kemi përjetuar këtë më herët”, tha ai. 

SHBA-ja dhe aleatët e tjerë të Izraelit kanë paralajmëruar vazhdimisht kundër një ofensive të shkallës së plotë në Rafah. Administrata e Joe Bidenit ka thënë se kjo do të kalonte vijën e kuqe dhe ka refuzuar të ofrojë armë sulmuese për një operacion të tillë. Të premten, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i ka bërë thirrje Izraelit që ta ndalojë ofensivën në Rafah, një urdhër të cilin nuk ka fuqi që ta fuqizojë. 

E të martën pasdite, një sulm izraelit me dronë goditi tendat në një spital të improvizuar përgjatë bregdetit perëndimor të Rafahut, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 21 personave, përfshirë 13 grave, ka thënë Ministria e Shëndetësisë e Gazës. 

Një dëshmitar, Ahmed Nassar, ka thënë se katër kushërira të tij dhe bashkëshortët e tyre dhe disa prej fëmijëve kanë humbur jetën në sulmin dhe disa nga tendat janë shkatërruar apo dëmtuar. Shumica e atyre që jetonin në atë zonë kanë ikur nga Gaza City në javët e para të luftës. 

“Ata nuk kishin asgjë të bënin me këtë”, ka thënë ai. 

Netanyahu kishte thënë më herët se forcat izraelite duhet të hyjnë në Rafah për ta shpartalluar Hamasin dhe për t’i kthyer pengjet që u morën në sulmin e 7 tetorit i cili edhe e nisi luftën. 
Në hetimin izraelit për sulmin dhe zjarrin vdekjeprurës të së dielës, ushtria izraelite shfaqi pamje satelitore të asaj që tha se ishte një pozicion i Hamasit për lëshim të raketave rreth 40 metra nga një zonë kasollesh që ishte në shënjestër. Në foto, vetë lansuesi i supozuar nuk dukej se ishte goditur nga raketat izraelite. 

Në raport u tha se avionët luftarakë izraelitë përdorën municionin më të vogël të mundshëm – dy municione me koka 17-kilogramëshe. 

“Vetëm municioni ynë nuk do të mund të ndizte një zjarr të kësaj përmase”, tha zëdhënësi i Ushtrisë së Izraelit, admirali Daniel Hagari. 

Hagari tha se zjarri ishte  “një incident shkatërrues që nuk e prisnim” dhe se u ndez “për shkak të rrethanave të paparashikuara”. 

Megjithatë, sulmet kanë shkaktuar një largim masiv të njerëzve nga zonat në perëndim të Rafahut. Sayed al-Masri, një banor i Rafahut, tha se shumë familje po shkonin në drejtim të zonës së mbingarkuar me njerëz Muwasi apo në Khan Younis, një qytet jugor që pësoi dëme të mëdha gjatë luftimeve me muaj të tërë. 

“Situata po përkeqësohet në Rafah”, tha al-Masri. 

Ministria e Shëndetësisë së Gazës tha se dy objekte mjekësore në Tel al-Sultan janë jashtë funksionit, për shkak të bombardimeve intensive atje. Ndihma Mjekësore për Palestinezët, një organizatë bamirëse që operon në të gjithë territorin, tha se qendra mjekësore në Tel al-Sultan dhe Spitali Fushor Indonezian janë mbyllur, ku mjekët, pacientët dhe njerëzit e zhvendosur janë bllokuar brenda. 
Shumica e spitaleve të Gazës nuk po funksionojnë më. Spitali i Kuvajtit në Rafah u mbyll të hënën, pasi një sulm në afërsi të hyrjes së tij vrau dy punonjës shëndetësorë. 

Lufta Izrael – Hamas nisi kur militantët e Hamasit depërtuan në jug të Izraelit në një sulm befasues më 7 tetor të vitit të kaluar, duke vrarë rreth 1200 civilë e rrëmbyer rreth 250 persona. Më shumë se 100 pengje u liruan gjatë një armëpushimi njëjavor në nëntor në këmbim të burgosurve palestinezë që mbaheshin në Izrael. 

Izraeli u përgjigj ndaj sulmit duke nisur ofensivë ajrore, tokësore e detare, gjatë të cilës janë vrarë mbi 36 mijë palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës. Rreth 80 për qind e popullsisë prej 2.3 milionë banorëve të Gazës është zhvendosur dhe zyrtarët e Kombeve të Bashkuara thonë se disa pjesë të territorit janë duke u përballur me krizë ushqimore. 

Luftimet në Rafah e kanë bërë gati të pamundur që grupet humanitare të dërgojnë ndihma në Gazë. 
Ushtria izraelite ka thënë se ka lejuar qindra kamionë me ndihma të futen përmes vendkalimit Kerem Shalom, por grupet e ndihmave thonë se është jashtëzakonisht e vështirë për të hyrë në atë ndihmë në anën e Gazës për shkak të luftimeve.