Botë

Hungaria s’do të marrë pjesë në asnjë aksion të NATO-s në mbështetje të Ukrainës, thotë Orbani

Victor Orban

Victor Orban

Foto: Associated Press

Hungaria do të kërkojë të heqë dorë nga çfarëdo operacioni i NATO-s i cili ka për qëllim mbështetjen e Ukrainës, ka deklaruar të premten kryeministri hungarez, Viktor Orban, teksa ka shtuar se aleanca ushtarake dhe Bashkimi Evropian janë duke lëvizur drejt një konflikti më të drejtpërdrejtë me Rusinë.

Orbani ka thënë për radion shtetërore se Hungaria e kundërshton një plan që NATO-ja është duke e peshuar, për të ofruar mbështetjen më të madhe ushtarake për Ukrainën në vitet e ardhshme, për ta zmbrapsur pushtimin e plotë nga Moska, derisa forcat ruse e saj po përparojnë në fushëbetejë, raporton AP.

“Ne nuk e aprovojmë këtë, ne nuk duam të marrim pjesë në mbështetje financiare apo me armë për Ukrainën, madje as brenda kornizave të NATO-s”, ka deklaruar Orbani, derisa ka shtuar se Hungaria e ka një pozitë si “jopjesëmarrëse” në ndonjë operacion potencial të NATO-s për ta ndihmuar Kievin.

“Duhet ta ridefinojmë pozitën tonë brenda aleancës ushtarake, dhe avokatët dhe zyrtarët tanë janë duke punuar në këtë... si mund të ekzistojë Hungaria si një anëtare e NATO-s nëse nuk merr pjesë në aksionet e saj jashtë territorit të saj”, ka shtuar ai.

Orbani, i cili konsiderohet si një partner i afërt i presidentit rus, Vladimir Putin në BE, ka theksuar rolin e NATO-s si një aleancë mbrojtëse, dhe ka thënë se nuk i ndan shqetësimet e disa shteteve të tjera të Evropës Qendrore dhe Lindore, se ushtria ruse nuk do ta ndalte agresionin nëse e fiton luftën në Ukrainë.

“Forca e NATO-s nuk mund të krahasohet me atë të Ukrainës. Nuk e shoh si një propozim logjik që Rusia, e cila nuk mund të merret madje as me Ukrainën, do të dalë papritur dhe do të përpijë të gjithë botën perëndimore”, është shprehur ai.

Hungaria ka refuzuar ta furnizojë fqinjin e saj Ukrainën me ndihmë ushtarake, në kundërshtim me shumicën e shteteve të tjera në BE, dhe Orbani në mënyrë të fuqishme i ka kundërshtuar sanksionet e bllokut ndaj Moskës, ndonëse gati çdo herë ka votuar për to.

Lideri nacionalist është duke u përgatitur për zgjedhjet në Parlamentin Evropian që do të mbahen nga 6-9 qershor. Ai e ka paraqitur partinë e tij si garantuese të paqes në rajon. 

Orbani i ka kategorizuar SHBA-në dhe shtetet e tjera të BE-së që po i ofrojnë mbështetje Ukrainës, si “pro-luftës” duke thënë se po sillen sikur po përgatiten për një konflikt global.