Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) ka vendosur të premten që Izraeli duhet të ndalojë menjëherë ofensivën e tij ushtarake dhe veprimet e tjera në Rafah, qytetin më jugor të Gazës, duke përmendur "rrezikun e menjëhershëm" për popullin palestinez.
Në vendimin e saj, gjykata botërore ka thënë se "nuk ishte e bindur" se evakuimi i Rafahut dhe masat e tjera nga Izraeli janë të mjaftueshme për të lehtësuar vuajtjet e palestinezëve.
Urdhri i GJND-së rrit më tej presionin ndërkombëtar mbi një Izrael gjithnjë e më të izoluar për të frenuar luftën e tij kundër Hamasit në Gaza.
“Izraeli duhet ta ndalë menjëherë ofensivën e tij ushtarake në Rafah”, ka deklaruar kryetari i trupit gjykues, Nawaf Salam.
Ai foli edhe për situatën e pengjeve izraelite, të cilët po mbahen ende në Gaza.
“Gjykata shpreh shqetësim të madh për fatin e pengjeve... dhe bën thirrje për lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të tyre. Ne e shohim thellësisht shqetësuese që shumë mbeten ende në robëri”, ka shtuar ai.
Përveç ndalimit të ofensivës, Gjykata po ashtu ka urdhëruar Izraelin që të hap pikëkalimin kufitar të Rafahut me Egjiptin për hyrjen e ndihmave humanitare dhe të mundësojë qasje në Gaza për hetuesit dhe misionet faktmbledhëse.
Gjykata e ka urdhëruar Izraelin që të raportojë para saj brenda një muaji, rreth progresit të bërë në zbatimin e urdhrave.
Vendimi i së premtes shënoi herën e tretë këtë vit, që trupi gjykues prej 15 gjyqtarësh lëshon urdhra paraprakë për të frenuar numrin e të vdekurve dhe për të lehtësuar vuajtjet humanitare në Gaza.
Ndonëse urdhrat janë ligjërisht të detyrueshëm, gjykata nuk ka polici për t'i zbatuar ato.
Izraeli ka nisur ofensivën tokësore në qytetin më jugor të Gazës, Rafah në fillim të muajit maj, pavarësisht paralajmërimeve të aleatëve për të mos e bërë.
GJND-ja pritet ta urdhërojë Izraelin t’i ndalë operacionet në Gaza
Gjykata e lartë e Kombeve të Bashkuara pritet të vendosë të premten mbi një lutje urgjente nga Afrika e Jugut, për ta urdhëruar Izraelin të ndalojë operacionet e tij ushtarake në Gaza dhe të tërhiqet nga enklava.
Një urdhër armëpushimi nga gjyqtarët e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) do të bënte më shumë presion mbi një Izrael gjithnjë e më të izoluar, ndërsa vazhdon sulmin e tij ushtarak ndaj Gazës, pas sulmeve vdekjeprurëse të 7 tetorit nga militantët e udhëhequr nga Hamasi, raporton AP.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu është gjithashtu nën presion të madh brenda shtetit për t'i dhënë fund luftës. Mijëra izraelitë i janë bashkuar demonstratave javore duke i bërë thirrje qeverisë të arrijë një marrëveshje për të sjellë në shtëpi pengjet izraelitë të cilët ndodhen në robërinë e Hamasit, nga frika se koha po mbaron.
GJND-ja ka kompetenca të gjera për të urdhëruar një armëpushim dhe masa të tjera, por ajo nuk ka aparatin e saj të zbatimit. Në një rast tjetër në dosjen e saj, Rusia deri më tani ka injoruar një urdhër të vitit 2022 nga gjykata për të ndaluar pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës.
Urdhri i së premtes pritet të vijë vetëm pak ditë pasi prokurori i një tjetër gjykate në Hagë, Gjykatës Ndërkombëtare Kriminale, ka njoftuar se ka lëshuar urdhërarreste për Netanyahun, ministrin izraelit të Mbrojtjes dhe tre liderë të Hamasit.
Duke reaguar ndaj vendimit të kësaj gjykate, Netanyahu ka thënë se “asnjë mënyrë e presionit dhe asnjë vendim i ndonjë forumi ndërkombëtar do ta parandalojë Izraelin nga mbrojtja e vetes kundër atyre që kërkojnë shkatërrimin tonë”.
Kërkesa për armëpushim është pjesë e një rasti të paraqitur në fund të vitit të kaluar nga Afrika e Jugut duke akuzuar Izraelin për kryerjen e gjenocidit në Gaza. Izraeli i mohon akuzat. Çështja do të marrë vite për t'u zgjidhur, por Afrika e Jugut kërkon urdhra të përkohshëm për të mbrojtur palestinezët.
Në seancat dëgjimore publike javën e kaluar në GJND, ambasadori i Afrikës së Jugut në Holandë, Vusimuzi Madonsela, i kërkoi panelit prej 15 gjyqtarësh ndërkombëtarë të urdhëronte Izraelin që të "tërhiqej plotësisht dhe pa kushte" nga Rripi i Gazës.
Gjykata tashmë ka gjetur se operacionet ushtarake të Izraelit përbëjnë një "rrezik real dhe të afërt" për popullin palestinez në Gaza.
Ofensiva e Izraelit ka vrarë më shumë se 35,000 palestinezë, sipas ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, dhe ka shkaktuar një krizë humanitare dhe zi buke.
Izraeli hedh poshtë pretendimet e Afrikës së Jugut, një komb me lidhje historike me popullin palestinez.