Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin është i gatshëm ta ndalë luftën në Ukrainë me një armëpushim të negociuar, kanë thënë katër burime për Reuters, sipas të cilave, ai megjithatë është i gatshëm të luftojë nëse Kievi zyrtar dhe Perëndimi nuk përgjigjen.
Tri nga burimet, të njohur me diskutimet në rrethin e Putinit, kanë thënë se lideri veteran rus kishte shprehur zhgënjimin ndaj një grupi të vogël këshilltarësh për ato që ai i sheh si përpjekje të mbështetura nga perëndimi, për të penguar negociatat dhe vendimin e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky për të përjashtuar bisedimet.
“Putini mund të luftojë për aq sa të nevojitet, por Putini është po ashtu i gatshëm për armëpushim, që të ngrijë luftën”, ka thënë njëri nga katër burimet, i cili është një zyrtar që ka punuar me Putinin dhe ka njohuri për bisedat e nivelit të lartë në Kremlin.
Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, në një përgjigje ka thënë se shefi i Kremlinit e ka përsëritur vazhdimisht se Rusia është e hapur për dialog, duke shtuar se shteti rus nuk dëshiron “luftë të përjetshme”.
Emërimi javën e kaluar i ekonomistit, Andrei Belousov si ministër i Mbrojtjes i Rusisë u pa nga disa analistë ushtarakë dhe politikë perëndimorë, si vendosja e ekonomisë ruse në një bazë të përhershme lufte me qëllim që të fitonte një konflikt të zgjatur.
Kjo pasoi presionin e qëndrueshëm në fushën e betejës dhe përparimet territoriale nga Rusia në javët e fundit.
Megjithatë, burimet kanë thënë se Putini, i rizgjedhur në mars për një mandat të ri gjashtë-vjeçar, më mirë do të përdorte momentin aktual të Rusisë për ta lënë pas luftën.
Ata nuk e komentuan drejtpërdrejt ministrin e ri të Mbrojtjes.
Bazuar në njohuritë e tyre për bisedat në radhët e larta të Kremlinit, dy nga burimet thanë se Putini ishte i mendimit se përfitimet në luftën e deritanishme ishin të mjaftueshme për t'i shitur një fitore popullit rus.
Konflikti më i madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, ka kushtuar dhjetëra e mijëra jetë nga të dyja anët, dhe ka çuar në sanksione të ashpra të Perëndimit ndaj ekonomisë ruse.
Tri prej burimeve kanë thënë se Putini e ka kuptuar se çdo përparim dramatik do të kërkonte mobilizim tjetër mbarëkombëtar, të cilin ai nuk e dëshironte, derisa një burim tjetër, i cili e njeh presidentin rus, ka thënë se popullariteti i tij ka rënë, pas mobilizimit të parë, në shtator të vitit 2022.
Thirrja kombëtare atëherë trembi një pjesë të popullsisë në Rusi, duke bërë që qindra mijëra burra në moshë të tërhequr të largoheshin nga vendi. Sondazhet treguan se popullariteti i Putinit ra me disa pikë.
Peskovi ndërkaq ka deklaruar se Rusia nuk kishte nevojë për mobilizim dhe në vend të kësaj po rekrutonte kontraktorë vullnetarë në forcat e armatosura.
Perspektiva për një armëpushim, apo edhe për bisedime paqeje, duket aktualisht e largët.
Presidenti ukrainas, Zelensky ka thënë vazhdimisht se paqja sipas kushteve të Putinit nuk mund të ketë sukses. Ai është zotuar të rimarrë territorin e humbur, duke përfshirë Krimenë, të cilën Rusia e aneksoi në vitin 2014.
Zelensky ka nënshkruar një dekret në vitin 2022 që e deklaroi edhe zyrtarisht çdo bisedë me Putinin "të pamundur".