Norvegjia, Irlanda dhe Spanja kanë njoftuar se do ta njohin shtetin palestinez. Të paktën 140 shtete të Kombeve të Bashkuara e njohin shtetin palestinez. Por të tjera – përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar nuk e njohin zyrtarisht. Izraeli menjëherë ka paralajmëruar masa ndërsa ka tërhequr të dërguarit.
Edhe Spanja do ta njohë Palestinën më 28 maj
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka njoftuar se shteti i tij do ta njohë Palestinën më 28 maj.
Fjalimi i Sanchezit u duartrokit në Parlamentin e Spanjës.
“Do ta njohim Palestinën për shumë arsye, por do t’i mbledh në tri fjalë – Paqe, drejtësi e konsistencë”, ka thënë ai. “Duhet të sigurohemi se zgjidhja me dy shtete do të respektohet e se do të ketë garanci të dyanshme për sigurinë”.
Sanchezi më tej ka thënë se dy palët duhet të negociojnë për paqe.
Kryeministri spanjoll ka thënë se homologu i tij izraelit, Benjamin Netanyahu, po luan “të shurdhrin”. “Ende po bombardon spitalet dhe shkollat si dhe po i dënon gratë e fëmijët me uri e të ftohtë. Zgjidhja me dy shtete është në rrezik që të mos ekzistojë fare”, ka thënë ai.
“Nuk mund ta lejojmë këtë. Kemi obligim të veprojmë. Në Palestinë sikur në Ukrainë kemi standarde të dyfishta. Duhet të çojmë ndihma humanitare dhe të ndihmojmë refugjatët. Por duhet të bëhet më shumë. Njohja s’është kundër izraelit e as kundër hebrenjve. Nuk është në favor të Hamasit dhe kjo është thënë edhe më herët. Kjo njohje s’është kundër askujt, është vetëm për paqe dhe bashkë-ekzistencë”, ka shtuar lideri spanjoll.
Sa shtete e kanë njohur Palestinën?
Ekuadori, Egjipti, India, Islanda, Rumania, Polonia, Burundi, Tajlanda, Tanzania, Iraku, Suedia, Rusia dhe pothuajse të gjitha vendet arabe janë disa nga ata që e njohin shtetin palestinez. Ka pak vende evropiane në listë.
Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ndër vendet që nuk e njohin zyrtarisht shtetin palestinez.
Britania e Madhe e ka lënë të hapur mundësinë e njohjes së shtetit palestinez.
Izraeli nuk e njeh Palestinën dhe qeveria aktuale izraelite kundërshton krijimin e një shteti palestinez në Bregun Perëndimor dhe Gaza. Sipas izraelitëve, një shtet i tillë do të ishte kërcënim për ekzistencën e Izraelit.
Norvegjia, Irlanda dhe Spanja konfirmuan të mërkurën [sot] se do ta njohin shtetin palestinez.
Edhe Irlanda do ta njohë Palestinën
Kryeministri irlandez, Simon Harris ka njoftuar se shteti i tij do ta njohë Palestinën si shtet.
“Sot, Irlanda, Norvegjia e Spanja po njoftojmë se e njohim shtetin e Palestinës”, ka thënë Harris në një konferencë për media.
“Të gjithë ne, tani do të ndërmarrim çfarëdo hapa të nevojshëm kombëtarë që të vëmë në fuqi këto vendime. Kam besim se edhe më shumë shtete do të na bashkohen në këtë hap të rëndësishëm në javët e ardhshme”, ka shtuar ai.
Izraeli tërheq të dërguarit nga Irlanda dhe Norvegjia
Pak pasi Norvegjia njoftoi se do ta njohë shtetin e Palestinës, Izraeli ka tërhequr të dërguarit e tij nga Irlanda dhe Norvegjia “për konsulta urgjente”.
“Po ju dërgoj mesazh të qartë Irlandës e Norvegjisë: Izraeli s’do të tërhiqet kundër atyre që minojnë sovranitetin dhe rrezikojnë sigurinë e tij”, ka thënë ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz.
“Izraeli nuk do të rrijë i heshtur – do të ketë pasoja të tjera serioze. Nëse Spanja përmbush qëllimin që ta njohë një shtet palestinez, hap i ngjashëm do të merret edhe ndaj saj”, ka thënë ai.
Vendim historik, Norvegjia do ta njohë shtetin e Palestinës
Kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Store, të mërkurën në një konferencë për shtyp ka bërë të ditur vendim historik për njohjen e Palestinës si shtet, raporton BBC.
Siç theksoi kryeministri i Norvegjisë, njohja do të hyjë në fuqi më 28 maj.
“Nuk mund të ketë paqe pa krijimin e një shteti palestinez. Në mes të luftës, me dhjetëra mijëra të vdekur dhe të plagosur, ne duhet të mbajmë gjallë të vetmen gjë që mund të sigurojë shtëpi të sigurt për izraelitët dhe palestinezët. Dy shtete që mund të jetojnë në paqe me njëri-tjetrin”, ka thënë kryeministri gjatë një konference për shtyp.
Store ka thënë se palestinezët kanë të drejtë ta kenë shtetin e tyre.
“Nuk mund të ketë zgjidhje me dy shtete pa një shtet palestinez. Me fjalë të tjera, për paqen në Lindjen e Mesme nevojitet një shtet palestinez”, ka shtuar ai.
Palestina ka konsullatën e saj në Norvegji që nga viti 2011 dhe autoritetet norvegjeze kanë filluar të përdorin “Palestine” në lidhje me territoret palestineze. Më herët në maj, Norvegjia votoi për anëtarësimin e Palestinës në OKB.
Shefi i diplomacisë norvegjeze, Espen Barth Eide, ka thënë në disa raste se njohja është e pashmangshme, por se duhet bërë në koordinim me vendet e tjera.
Vendim të ngjashëm pritet të marrin edhe Irlanda e Spanja.
Së fundmi, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së mbajti seancë ku u miratua vendimi për forcimin e statusit të Palestinës dhe i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të rishqyrtojë dhe të mbështesë anëtarësimin e plotë të Palestinës në Kombet e Bashkuara.