Botë

“Njerëzit e tmerruar, gjak kudo”, kaosi në fluturimin Londër – Singapor ku vdiq një person

aeroplan

Një 73-vjeçar britanik vdiq dhe dhjetëra pasagjerë u lënduan rëndë në një fluturim nga Londra në Singapor pasi aeroplani u godit nga turbulenca të forta, ka njoftuar “Singapore Airlines” të martën.

Aeroplani me 211 pasagjerë dhe 18 anëtarë të ekuipazhit u detyrua të bënte ulje emergjente në Bangkok të Tajlandës.

Rreth 11 orë pas nisjes nga Londra, aeroplani ra gati 2000 metra në vetëm pesë minuta, duke shkaktuar kaos.

Pasagjerët e tmerruar përshkruan se nuk kishin kohë të mjaftueshme për të lidhur rripat e sigurimit përpara se aeroplani të binte papritur.

“Papritmas aeroplani filloi të kishte turbulenca, por shumë papritur pati edhe një rënie shumë dramatike, kështu që të gjithë ata që ishin ulur dhe nuk kishin vendosur rripin e sigurimit ‘fluturonin’ nëpër aeroplan”, ka rrëfyer Dzafran Azmir (28 vjeç).

Fotot pas aterrimit të aeroplanit konfirmuan fjalët e Azmirit.

Një tjetër pasagjer përshkroi se pas turbulencave, pasagjerët e tjerë u kanë ofruar ndihmë mjekësore të lënduarve.

Turbulenca është e zakonshme në fluturime, por incidente të rënda si kjo janë të rralla. Turbulencat zakonisht nuk janë asgjë për t'u shqetësuar.

Ndonjëherë ato mund të parashikohen dhe pilotët dihet se komunikojnë me njëri-tjetrin me anë të radarit për të paralajmëruar të tjerët, por edhe turbulencat mund të vijnë papritmas. Edhe pse është fenomen i përkohshëm, ato mund të ndodhin kudo dhe në çdo kusht.

VIDEO: