Botë

Kryeministri sllovak jashtë rrezikut për jetën

Robert Fico

Jeta e kryeministrit të Sllovakisë, Robert Fico nuk është më në rrezik, katër ditë pasi u qëllua në një atentat, tha zëvendësi i tij, raporton “BBC”.

Zëvendëskryeministri i vendit, Robert Kalinak u tha gazetarëve gjendja e tij ende kërkon kujdes intensiv, por se “më e keqja që kishim frikë të paktën tani për tani ka kaluar”.

Fico, 59 vjeç, i është nënshtruar një operacioni për orë të tëra, që kur u qëllua të mërkurën.

Një person i akuzuar për tentativë vrasjeje gjendet në paraburgim.

Sulmuesi i dyshuar nuk është emëruar zyrtarisht, por raportet sllovake e kanë identifikuar gjerësisht atë si Juraj Cintula 71-vjeçar nga qyteti Levice.

Mediat vendase e kanë cilësuar si një poet amator.

Kalinak ka bërë të ditur  në një përditësim të mëparshëm se kryeministri kishte pësuar katër plagë me armë zjarri: dy të lehta, një mesatare dhe një të rëndë.

“Ne mund ta konsiderojmë gjendjen e tij të qëndrueshme me një prognozë pozitive”, tha ai jashtë spitalit ku  Fico po trajtohet në qytetin e Banska Bystrica. “Ne të gjithë ndihemi pak më të qetë tani”.

Ai shtoi se Fico do të qëndrojë në Banska Bystrica për momentin, me një transferim të pamundur në të ardhmen e afërt për shkak të gjendjes së tij.

Kryeministri u qëllua nga një distancë e afërt teksa po përshëndeste mbështetësit pas një takimi të qeverisë në qytetin e vogël Handlova, raporton BBC.