Botë

Del para gjykatës i dyshuari për sulmin ndaj Ficos

Policia sllovake

Policia sllovake

Burri i akuzuar për tentativë vrasjeje të kryeministrit të Sllovakisë, Robert Fico, raportohet të jetë dërguar në gjykatë të shtunën.

Paraburgimi i të dyshuarit do të shqyrtohet në seancën në Gjykatën e Specializuar Penale të Sllovakisë në Pezinok, jashtë kryeqytetit, Bratislavë, raporton AP.

Prokurorët kanë kërkuar nga Policia që të mos e publikojë identitetin e të dyshuarit, apo të lëshojë detaje të tjera lidhur me rastin. 

Raportet e pakonfirmuara të mediave thonë se bëhet fjalë për një 71-vjeçar, i cili ishte i njohur si një poet amator, dhe se mund të ketë punuar si roje sigurimi në një qendër tregtare në jugperëndim të vendit.

Fico i është nënshtruar një tjetër operacioni të premten, dy ditë pasi ishte qëlluar disa herë me armë zjarri nga afër, dhe vazhdon të jetë në gjendje të rëndë.

Ai u sulmuar në momentin kur ishte afruar për t’i përshëndetur mbështetësit e tij jashtë një qendre kulturore në qytetin Handlova, pasi kishte zhvilluar një takim të kabinetit qeveritar atje.