Parlamenti i Gjeorgjisë pritet të japë miratimin final për një ligj të diskutueshëm për “agjentët e huaj” që shkaktoi javë protestash masive në rrugë, ka raportuar BBC-ja.
Kritikët kanë thënë se një ligj i tillë, i konsideruar si “ligji i Rusisë”, mund të shfrytëzohet për t’i shtypur mospajtimet, duke kërkuar që Qeveria të anulojë kalimin e ligjit. Një protestë masive është paralajmëruar të mbahet para dyerve të Parlamentit, derisa kryeministri i vendit, Irakli Kobakhidze, është zotuar se ligji do të kalojë.
Sipas tij, nëse autoritetet tërhiqen nga ky lig atëherë Gjeorgjia “do të humbasë sovranitetin dhe lehtësisht mund të ketë fatin e Ukrainës”.
Në natën e tretë të protestës, mijëra demonstrues, shumica prej tyre studentë, u mblodhën jashtë parlamentit në Tbilisi dhe kërkuan rrëzimin e ligjit. Një pjesë e protestuesve u përlesh me policinë.
Ky projektligj thotë se organizatat dhe mediat e pavarura që marrin mbi 20 për qind të financimit nga donatorët e huaj duhet të regjistrohen si organizata “që mbajnë interesat e një fuqie të huaj”.
Ato gjithashtu do të monitorohen nga Ministria e Drejtësisë dhe mund të detyrohen të publikojnë “informacione të ndjeshme” ose të përballen me gjoba deri në 9.400 dollarë.
Protestuesit janë të shqetësuar se legjislacioni do të shfrytëzohet nga ekzekutivi për t’i shtypur kundërshtarët dhe për t’i zbehur Gjeorgjisë shpresat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
Gjeorgjia e kishte shpallur pavarësinë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.