Botë

Mesazhet që e shkatërruan grupin e organizuar kriminal

krimi -

Foto: BBC

Më shumë se 30 pjesëtarë të një grupi të organizuar kriminal janë burgosur pasi policia britanike ka arritur të thyejë mesazhet e tyre të koduara dhe ka zbuluar konfrontimet e dhunshme lidhur me një sasi droge të vjedhur, raporton “BBC”.  

Bosët e krimit të firmës Huyton kishin planifikuar të vrisnin burrat që mendonin se kishin vjedhur kokainë në vlerë prej më shumë se 1 milion funte, prej tyre.
Në mbi 10 mijë mesazhet e grupit janë zbuluar planet për dhunë brutale, përfshirë këtu edhe një sulm me granatë dore. 

Grupi Huyton është udhëhequr për 30 vjet nga dy vëllezër, identiteti i të cilëve ishte i fshehtë. Por pas mbajtjes së një sërë seancash gjyqësore mbi këtë rast në Gjykatën e Manchesterit, vëllezërit u identifikuan si Vincent dhe Francis Coggins. 

Vëllezërit dhe anëtarët e tjerë të grupit kishin folur lirshëm në sistemin e mesazheve EncroChat, meqë besonin se bisedat e tyre të koduara ishin plotësisht të sigurta. 

Mesazhet e tyre pasqyrojnë në mënyrë të qartë planet e brendshme të grupit kriminal. Përmes atyre mesazheve u zbulua se:  

• Vincent Coggins dha urdhra për sulme dhe vrasje të dhunshme dhe mburrej që e kishte therur me thikë një biznesmen. 

• Francis Coggins dërgoi foto të kokainës dhe vëllezërit diskutuan për një marrëveshje për gjysmë toni drogë, me vlerë rreth 16 milionë funte.

• Vëllezërit biseduan mes vete mbi ndihmën që u ka ofruar një person i brendshëm i policisë, të cilin e quanin “derrkuc”. 

• Anëtarët kryesorë të grupit shpërndanë foto personale, përmes të cilave policia i identifikoi. 
Në një mesazh, Vincent Coggins kërcënoi se do ta torturonte një biznesmen vendas: “pastaj ne do të vendosim nëse do ta masakrojmë, t’ia presim gishtat ose diçka tjetër”. 

Të nesërmen, ai u mburr se si e kishte prerë burrin me thikë: “ia preva fytyrën dhe ia nxora sytë dhe i mora gjysmën e veshit dhe gjuhës”.

Brutaliteti i grupit Huyton ka tronditur madje edhe rivalët në botën e krimit në Liverpool.

Një burim anonim, i cili e njeh mirë Vincent Coggins, ka thënë për “BBC Panorama” se banda e krimit ishte “thellësisht e urryer” nga shumë njerëz, për shkak të “nivelit të shthurjes që ata përdornin, për të shkaktuar frikë dhe terror”.

Në mesazhe flisnin edhe për ndihmën që u ofroi personi i brendshëm i policisë. Ky person duket se i ka siguruar grupit kriminal të dhëna që i lejoi ata të shihnin se çfarë dinin detektivët për grupin. 
Policia e Merseyside bëri të ditur se hetime të plota dhe të gjera janë kryer nga njësia kundër korrupsionit por nuk kanë arritur të identifikojnë asnjë pjesëtar të stafit në lidhje me keqpërdorimin e sistemeve kompjuterike të policisë. 

Ashtu si mijëra kriminelë në mbarë botën, grupi Huyton mendoi se softueri EncroChat do t’i ruante në mënyrë të sigurt mesazhet dhe identitetin e tyre sekret.
Por policia franceze arriti ta thyejë aplikacionin dhe të sigurojë mesazhe për rreth 7 mijë kriminelë britanikë.

Mesazhet mbulojnë periudhën kur një nga shtëpitë ku ruhej droga e grupit Huyton në Liverpool u grabit nga gangsterë rivalë.

Në total, janë dënuar 32 kriminelë që lidhen me atë bastisje. 
Vincent Coggins, është dënuar me 28 vjet burgim për trafikim droge dhe shantazh.
Anëtarë të tjerë të burgosur të grupit kriminal përfshijnë zbatuesin e planeve, Paul Woodford (24 vjet e gjashtë muaj burgim), tregtarin e drogës, Michael Earle (11 vjet burgim) dhe njeriun e financave, Paul Fitzsimmons (12 vjet e gjashtë muaj burgim).
Për dënimet e tyre nuk u raportua deri në përfundim të gjyqit kundër Edward Robert Jarvis, pjesëtar tjetër kryesor i grupit Huyton.

Ai u shpall fajtor për trafikim droge dhe shantazh në Gjykatën e Manchester-it të enjten.
Shefi i krimit, Francis Coggins është në arrati dhe besohet të jetë jashtë vendit.