Donald Trump, ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe me shumë gjasë kandidat presidencial nga republikanët për zgjedhjet e këtij viti, kritikoi presidentin aktual Joe Biden që kushtëzoi dorëzimin e armëve dhe mbështetjen për Izraelin që të mos ketë pushtim të Rafahut.
Trump e akuzoi Bidenin se i është bashkuar ekstremistit palestinez Hamas, raporton "Times Of Israel".
Trump shkroi në rrjetet sociale se “krimineli Joe mban anën e terroristëve”, duke aluduar për Hamasin, duke deklaruar gjithashtu se Bideni “anon me turmat radikale që kanë pushtuar kampuset universitare, sepse donatorët e tij i financojnë ato”.
“Biden është i dobët, i korruptuar dhe po e çon botën drejtpërdrejt në Luftën e Tretë Botërore”, ka thënë ish-udhëheqësi amerikan, duke përsëritur se lufta mes Izraelit dhe Hamasit nuk do të kishte nisur nëse do të kishte qenë president.
Biden ka thënë mbrëmë se vendi i tij nuk do të furnizojë Izraelin me armë sulmuese që mund të përdoren për të nisur “sulm të plotë” në Rafah, bastioni i fundit i Hamasit në Gaza, për shkak të shqetësimit për jetën e më shumë se një milion civilëve që janë strehuar atje.
Presidenti amerikan në një intervistë për CNN ka thënë se SHBA-ja mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e Izraelit, të cilit do t'i dërgojë raketa “Iron Dome” dhe armë të tjera mbrojtëse, “por nëse Izraeli shkon në Rafah, Uashingtoni nuk do ta furnizojë atë me armë sulmuese”.
LEXO EDHE: