Botë

Intensifikohen bisedimet për armëpushim në Gaza, Hamasi me “frymë pozitive”

Gaza

Gaza

Foto: Associated Press

Përpjekjet janë intensifikuar për të siguruar një marrëveshje për armëpushim në Gaza dhe për lirimin e pengjeve, derisa bisedimet po rifillojnë të shtunën në Kajro të Egjiptit.

Hamasi ka thënë se delegacioni i tij është nisur për në Kajro “me frymë pozitive”, pasi e ka studiuar mirë propozimin e fundit për armëpushim, raporton BBC.

“Jemi të vendosur për të arritur një marrëveshje në një mënyrë që përmbushë kërkesat e palestinezëve”, ka thënë Hamasi.

Negociatorët e Hamasit janë rikthyer në kryeqytetin egjiptian për të rinisur bisedimet që po zgjasin, të ndërmjetësuara nga Egjipti dhe Katari, e që kanë për qëllim arritjen e një pauze në luftime dhe lirimin e pengjeve.

Në një deklaratë të lëshuar nga Hamasi thuhet se ajo e donte të "pjekur" marrëveshjen në tryezë, gjë që sugjeron se ka fusha ku të dy palët ende nuk janë dakord.

Çështja kryesore problematike duket të jetë, nëse marrëveshja e armëpushimit duhet të jetë e përhershme apo e përkohshme. 

Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës amerikane (CIA), William Burns, ka udhëtuar në Kajro për të ndihmuar në bisedime, sipas dy zyrtarëve që kanë folur për CBS News. 

Hamasi po këmbëngul që çdo marrëveshje të çojë drejt përfundimit të luftës, por Izraeli heziton të pajtohet ndërsa grupi mbetet aktiv në Gaza. 

Mendohet se formulimi që po diskutohet përfshin një pauzë 40-ditore në luftime ndërsa pengjet lirohen dhe lirimin e një numri të burgosurish palestinezë që mbahen në burgjet izraelite. 

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ka këmbëngulur vazhdimisht se do të ketë një operacion të ri ushtarak tokësor në qytetin jugor të Gazës, Rafah, edhe nëse arrihet një marrëveshje. 

Mediat izraelite raportuan të shtunën se qëndrimi i tij mbeti i pandryshuar pavarësisht rundit të fundit të bisedimeve. 

Por SHBA-ja, aleati më i madh diplomatik dhe ushtarak i Izraelit, heziton të mbështesë një ofensivë të re që mund të shkaktojë viktima të mëdha civile dhe ka këmbëngulur që së pari të shohë një plan për të mbrojtur palestinezët e zhvendosur. 

Rreth 1.4 milionë njerëz janë strehuar në Rafah pasi u larguan nga luftimet në zonat veriore dhe qendrore të Rripit të Gazës.

LEXO EDHE: