Botë

Izraeli e njofton SHBA-në me planin për evakuim të palestinezëve para një sulmi në Rafah

Ushtarët izraelitë në Gaza

Ushtarët izraelitë në Gaza

Foto: Associated Press

Izraeli këtë javë i ka informuar zyrtarët e administratës Biden rreth planit për t’i evakuuar civilët, në prag të një ofensive të mundshme në qytetin jugor të Gazës, Rafah, duke synuar çrrënosjen e militantëve të Hamasit, kanë bërë të ditur zyrtarë amerikanë të afërt me bisedimet.

Zyrtarët, të cilët nuk ishin të autorizuar për të komentuar publikisht, në kushtet anonimiteti kanë folur rreth kësaj, duke thënë se plani i detajuar nga Izraeli, nuk e ka ndryshuar pikëpamjen e administratës së Bidenit, se hyrja tokësore e ushtrisë në Rafah do të vinte në rrezik shumë civilë palestinezë, raporton AP. 

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar të kryejë një operacion ushtarak në Rafah, pavarësisht paralajmërimeve të presidentit Biden dhe zyrtarëve të tjerë perëndimor, se ky veprim do të rezultonte me vdekjen e shumë civilëve, dhe do të përkeqësonte situatën e krizës humanitare në Gaza.

Administrata Biden ka thënë se mund të ketë pasoja për Izraelin nëse e nis një operacion në Rafah pa një plan të besueshëm për të siguruar civilët. 

“Në mungesë të një plani të tillë, ne nuk mund të mbështesim një operacion të madh ushtarak që shkon në Rafah, sepse dëmi që do të shkaktonte është përtej asaj që është e pranueshme”, ka deklaruar sekretari i Shtetit, Antony Blinken të premten vonë në Forumin Sedona, një ngjarje në Arizona e organizuar nga Institutin McCain.

Rreth 1,5 milionë palestinezë janë strehuar në jug të Gazës, pasi territori është përfshirë nga lufta që nisi më 7 tetor, pas një sulmi të Hamasit në jug të Izraelit, gjatë të cilit u vranë 1,200 persona dhe u morën peng rreth 250 të tjerë. 

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për ndihmë humanitare ka thënë të premten se qindra mijëra njerëz do të ishin "në rrezik të menjëhershëm të vdekjes" nëse Izraeli ecën përpara me sulmin në Rafah. Qyteti kufitar është një pikë hyrëse kritike për ndihmën humanitare dhe është i mbushur me palestinezë të zhvendosur, shumë prej tyre duke qëndruar në kampe çadrash të tejmbushura. 

Zyrtarët shtuan se plani i evakuimit për të cilin izraelitët informuan SHBA-në nuk ishte finalizuar dhe të dyja palët ranë dakord të vazhdonin të diskutonin këtë çështje. 

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre u ka thënë gazetarëve të premten se asnjë plan "gjithëpërfshirës" për një operacion të mundshëm në Rafah nuk është zbuluar nga izraelitët në Shtëpinë e Bardhë. 

Operacioni, megjithatë, është diskutuar gjatë telefonatave të fundit midis Bidenit dhe Netanyahut, si dhe gjatë bisedimeve të fundit virtuale me zyrtarë të lartë të sigurisë kombëtare izraelite dhe amerikane.

“Duam të sigurohemi që këto bisedime të vazhdojnë sepse është shumë e rëndësishme të mbrojmë jetët e palestinezëve – ato jetë të pafajshme”, është shprehur Jean-Pierre. 

Zbulimi i shtytjes së vazhdueshme të Izraelit për të kryer një operacion në Rafah erdhi pasi drejtori i CIA-s, William Burns, mbërriti të premten në Egjipt, ku negociatorët po përpiqen të nënshkruajnë një marrëveshje armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit. 

Hamasi po shqyrton propozimin e fundit për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve të paraqitur nga ndërmjetësit e SHBA-së, Egjiptit dhe Katarit, të cilët po kërkojnë të shmangin operacionin në Rafah.

Ata i kanë bërë presion publikisht Hamasit që të pranojë kushtet e marrëveshjes që do të çonte në një armëpushim të zgjatur dhe një shkëmbim të pengjeve izraelitë të zënë rob më 7 tetor dhe të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite.