Pas muajsh vonesash

Senati i SHBA-së miraton ndihmën prej 95 miliardë dollarëve për Ukrainën e Izraelin

Flamujt e SHBA-se dhe Ukraines

Senati i SHBA-së ka aprovuar pakon në vlerë 95 miliardë dollarë, ku përfshihet ndihma ushtarake për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin, raporton “BBC”. 

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, pritet ta nënshkruajë këtë legjislacion qysh të mërkurën. 

Senati të martën mbrëma mbështeti projektligjin i cili u aprovua të shtunën edhe nga Dhoma e Përfaqësuesve. 

Në pakon përfshihet ndihma ushtarake prej 61 miliardë dollarë për Ukrainën, për të cilën Pentagoni tha se do të fillojë dërgimi i armatimit “brenda pak ditëve”. 

Senati aprovoi projektligjin me 79 vota pro e 18 kundër. 

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, e ka përgëzuar këtë vendim në një deklaratë të martën mbrëma. 
Ai e ka quajtur “legjislacion kyç që e bën SHBA-në dhe botën më të sigurt, pasi ne përkrahim miqtë tanë që po e mbrojnë veten kundër terroristëve si Hamasi dhe tiranëve si Putini”. 

Lideri i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer tha se “pas më tepër se gjashtë muajve punë dhe shumë kthesave, Amerika i dërgoi mesazh gjithë botës: nuk do t’ua kthejmë shpinën”. 

Senati kishte kaluar një pako të ngjashme ndihme në shkurt, por një grup i konservatorëve që kundërshtojnë përkrahjen e re për Ukrainën dhe parandaloi që të shkonte në votim në Dhomën e Përfaqësuesve. 

Javën e kaluar, Demokratët dhe Republikanët në dhomën e ulët u bashkuan për ta tejkaluar këtë kundërshtim. 

U pajtuam përfundimisht për projektligjin ku përfshihet ndihma për jashtë si dhe legjislacioni për konfiskimin e aseteve ruse të bllokuara në bankat Perëndimore. Po ashtu në të përfshihen sanksionet e reja ndaj Rusisë, Iranit dhe Kinës dhe dispozitë që do ta shtyjë kompaninë  kineze “ByteDance” që ta shesë “TikTokun”. 

Pakoja pritet t’i japë një shtytje të madhe forcave të Ukrainës, që kanë vuajtur me muaj nga mungesa e municionit dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore. 

Duke reaguar pas votimit, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se “kjo përforcon rolin e Amerikës si një fener i demokracisë dhe udhëheqës i botës së lirë”. 

Të martën, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, Kharkiv, u përballë me një seri sulmesh me dronë e raketa.