Botë

“Izraelit i duhet mbështetje e madhe nga Perëndimi që të futet në luftë të shkallës së gjerë”

Ushtria izraelite

Forcat izraelite

Foto: Associated Press

Izraelit do t’i duhej mbështetje e madhe nga aleatët për të hyrë në një luftë të plotë në Lindjen e Mesme, ka thënë Maha Yahya, drejtoreshë e fondacionit kërkimor të Qendrës Carnegie për Lindjen e Mesme.

“Izraeli nuk e ka kapacitetin për një luftë të gjithanshme afatgjate, pa mbështetje të jashtme. Do t’i duhej përkushtimi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të vazhdojë t’i ofrojë armë. Mbështetet në SHBA-në dhe fuqitë e tjerë perëndimore në një numër frontesh ushtarake”, ka thënë ajo për CNN-in.

Apelet e bëra nga aleatët perëndimorë për Izraelin që të përmbahet pas sulmit të Iranit javën e kaluar, me shumë gjasë ka luajtur rol të madh në kalkulimet e zyrtarëve izraelitë se sa fuqishëm të hakmerren, ka shtuar Yahya.

“Ishte e qartë se kishte presion të jashtëzakonshëm ndërkombëtar mbi Izraelin që të mos i përshkallëzojë gjërat më tej”, ka theksuar ajo.

SHBA-ja, Britania e Franca patën ndihmuar Izraelin që të ndalonte raketat dhe dronët e lëshuar nga Irani në fundjavë. Ushtria izraelitë pati thënë se 99% e dronëve të Iranit ishin penguar nga Izraeli dhe partnerët e tij, me vetëm “një numër të vogël” të raketave balistike që kishin arritur në Izrael.