Zyrtari iranian

"S’ka plan për hakmarrje të menjëhershme kundër Izraelit"

Flamuri i Iranit

Flamuri i Iranit

Irani nuk ka plan për hakmarrje të menjëhershme kundër Izraelit, ka thënë një zyrtar iranian për Reutersin.

Deklarata e tij ka ardhur disa orë pasi zyrtarët amerikanë kanë thënë se Izraeli ka sulmuar Iranin. 

“Ne nuk kemi marrë asnjë sulm nga jashtë, dhe diskutimi anon më shumë drejt infiltrimit sesa sulmit”, ka thënë zyrtari iranian në kushte anonimiteti. 

Sipas Reutersit, një analist iranian ka thënë se dronët e rrëzuar nga mbrojtja ajrore në Isfahan ishin hedhur nga “të infiltruar brenda Iranit”.

Të premten, Izraeli ka kryer një sulm brenda Iranit, kanë thënë zyrtarë amerikanë, një lëvizje kjo që kërcënon ta fusë rajonin në konflikt më të gjerë. Shpërthime janë raportuar mbi qytetet iraniane, Isfahan dhe Tabriz. Megjithatë, Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.