Kërcënimet ndaj Izraelit

Bideni mesazh Iranit: Mos e bëj

Joe Biden

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka thënë të premten se mesazhi i tij për Iranin, që ka kërcënuar se do të ndërmarrë veprime ushtarake kundër Izraelit, është “mos e bëj”.

“Ne jemi të përkushtuar për mbrojtjen e Izraelit. Ne do ta mbështesim Izraelin. Ne do të ndihmojmë në mbrojtjen e Izraelit dhe Irani nuk do të ketë sukses”, ka thënë Biden para gazetarëve.

Presidenti amerikan tutje është shprehur se sulmi i Iranit ndaj Izraelit mund të ndodhë më shpejt se sa pritej.

Më herët, Shtëpia e Bardhë pranoi se kërcënimet e Iranit ishin "të vërteta" dhe "të besueshme". 

Rreziqet e përhapjes së konfliktit të Gazës janë dyfishuar pas kërcënimeve të Iranit kundër Izraelit pas sulmit të 1 prillit që shkatërroi konsullatën iraniane në Damask dhe vrau 16 njerëz, duke përfshirë dy gjeneralë të Gardës Revolucionare, ushtrisë ideologjike të Iranit. Irani e konsideron Izraelin përgjegjës për sulmin.

Irani, i cili është armiku i betuar i Izraelit dhe aleat i Hamasit palestinez, kërcënoi se do ta "dënojë" Izraelin pas shkatërrimit të konsullatës në Damask.