Zyra e Benjamin Netanyahut ka thënë se kabineti i sigurisë ka aprovuar një seri hapash për të ngritur futjen e ndihmave humanitare në Gaza, përfshirë hapjen e përkohshme të pikëkalimit kyç i cili ishte shkatërruar nga sulmi i 7 tetorit nga Hamasi.
Njoftimi erdhi disa orë pas paralajmërimit të presidentit amerikan, Joe Biden, se mbështetja e SHBA-së në të ardhmen për Izraelin do të varet në veprimet konkrete të tij për të mbrojtur civilët dhe punonjësit humanitarë, raportoi The Guardian.
Zyra e kryeministrit izraelit ka thënë të premten se pikëkalimi në Erez, që gjendet në veri të Gazës dhe për vite ka shërbyer si kalimi i vetëm për hyrje-dalje të njerëzve, do të hapët përkohësisht.
Sipas njoftimit, më shumë ndihma do të lejohen përmes portit Ashdod, dhe autoritetet do të lejojnë po ashtu “rritjen e ndihmave jordaneze përmes Kerem Shalomit”, një pikëkalim në jug të Izraelit.